MENU
klinika

Nga The Economist

100 vjet pavarësi/ Polakët ende të pakënaqur…

14.11.2018 - 16:51

Ka mënyra të ndryshme për të festuar një shekull shtetësi. Finlanda, po ndërton një bibliotekë të re.

Polonia, e cila rifitoi pavarësinë në vitin 1918, organizoi një marshim qeveritar të organizuar së bashku me grupet e ekstremit të djathtë. Festimet më 11 nëntor theksuan përçarjen mes mbështetësve dhe kritikëve të Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS). Duke qenë se vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare, të dyja palët kërkuan edhe një herë politika si ato të Jozef Pilsudskit, arkitektit të pavarësisë së Polonisë.

Në vitet e fundit, ka patur gjithmonë marshime në Ditën e Pavarësisë së Polonisë nga grupet e ekstremit të djathtë. Por këtë vit, kryebashkiaku i Varshavës e ndaloi marshimin, duke thënë se qyteti kishte vuajtur mjaft nga “nacionalizmi agresiv”, por ndalimi u refuzua më vonë në gjykatë.

Pothuajse 250,000 vetë marshuan të dielën në Varshavë, shumica prej tyre njerëz të zakonshëm.

Megjithatë, mund të shiheshin kudo simbolet e ekstremit të djathtë, duke përfshirë edhe emblemën e falangës në flamujt e gjelbër të Kampit Nacional Radikal, një nga organizatorët e marshimit. Ata u bashkuan me anëtarë të Forza Nuova, një parti italiane neo-fashiste. Zyrtarët e qeverisë, duke përfshirë presidentin dhe kryeministrin, u shoqëruan gjithë kohën nga forcat e sigurisë.

PiS e përdori rastin për të përforcuar rolin e vet në histori.

Më 10 nëntor, partia zbuloi një statujë të ish-presidentit Lech Kaczynski (binjaku i Jaroslaw, kryetarit të saj), i cili vdiq në një përplasje avioni në Rusi më 2010. Statuja është vendosur në sheshin Pilsudski në Varshavë, pranë një statuje të heroit të pavarësisë. Në ceremoni, Andrzej Duda, presidenti i Aleancës PiS, e quajti atë udhëheqësin më të madh të Polonisë, që nga koha e Pilsudskit.

Ndërkohë, sytë ishin tek Donald Tusk, i cili shërbeu si kryeministër nga 2007 në 2014, përpara se të shkonte në Bruksel për t’u bërë president i Këshillit Evropian.

Tusk nuk shkoi në Paris më 11 nëntor për të shënuar fundin e Luftës së Parë Botërore, vetëm që të ishte në Poloni. Në një fjalim në Lodz javën e kaluar, ai u kërkoi polakëve të mposhtnin “bolshevikët e sotëm”.

Kjo ka nxitur spekulime se Tusk do të kthehet në politikën polake pas përfundimit të mandatit të tij në Bruksel, ndoshta duke kandiduar për president kundër kandidatit Duda në vitin 2020.

Në zgjedhjet lokale muajin e kaluar, kandidatët e PiS për kryetarë komunash nuk arritën të fitonin në qytete, përfshirë Varshavën. Ndërkohë, qeveria vazhdon të punojë me Komisionin Evropian për një ligj që detyron gjykatësit e Gjykatës Supreme të moshës 65 vjeç e lart të dalin në pension. Muajin e kaluar, Gjykata Evropiane e Drejtësisë pezulloi dispozitat, duke paralajmëruar se ata kërcënojnë pavarësinë gjyqësore.

Ndërsa hyn në shekullin e dytë si shtet i pavarur, Polonia duhet të kujtojë se pavarësia, sundimi i ligjit dhe gjykatat e pavarura nuk janë “të pathyeshme”. Ato duhet të mbrohen.

Nga The Economist