MENU

Deklarata

Amerika ‘kundër’ Kosovës: Hiq tarifat ndaj Serbisë

27.11.2018 - 08:41

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Kosovës që të heqë tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Ky qëndrim u shpreh në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, pas një takimi që Sekretari i Shtetit, Mike Pompeu pati të hënën me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku ai i bëri thirrje Kosovës të përfitojë nga rrethanat e krijuara për të arritur një marrëveshje historike me Serbinë.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të mbështesin palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, thuhet në deklaratë.