Vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë është e bllokuar. Në kushtet kur mandatet e gjashtë prej nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrë kanë përfunduar, institucioni nuk mund të marrë më vendime. Në këto kushte, mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës u reduktua në një takim, ku Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorja e Dytë, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, zbatimin e politikës monetare, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.
Gjatë takimit nuk u morën vendime, dhe çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.
Gjashtë vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës duhet të propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi, si edhe të miratohen po në Kuvendin e Shqipërisë.
Këtë muaj, Kuvendi zhvilloi një dëgjesë publike me kandidadët që kanë aplikuar për të qenë anëtarë, megjithatë procesi është shumë i vonuar dhe kjo ka bllokuar funksionimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.