MENU
klinika

Arti i Rilindjes

Bronzino, piktori elegant i manierizimit italian

23.11.2018 - 14:26

Bronzino, ose Agnolo di Cosimo di Mariano Tori, lindi më 17 nëntor 1503, Firence dhe vdiq më 23 nëntor 1572.

Piktori fiorentin, portretet e rafinuara dhe elegante të të cilit janë modele të përkryera të stilit manierist, mishërimet klasike të idealit të përkryer të dukëve Mediçis të mesit të shekullit të 16-të ndikuan në portretizimin e oborreve mbretërore evropiane për shekullin e ardhshëm.

Manierizmi ishte stili artistik që mbizotëronte në Itali nga fundi i Rilindjes në vitet 1520 deri në fillimet e stilit barok rreth vitit 1590. Stili manierist filloi në Firence dhe Romë për t’u përhapur mandej në Italinë veriore dhe, më pas, në pjesën më të madhe të Evropës qendrore dhe veriore. Termi u përdor fillimisht rreth fundshekullit të 18-të nga arkeologu italian Luigi Lanzi për të përcaktuar artistët e shekullit të 16-të, të cilët ishin pasuesit e mjeshtërve kryesorë të Rilindjes.

Manierizmi filloi si reagim ndaj klasicizmit harmonik dhe natyralizmit të idealizuar të artit të Rilindjes së Lartë, siç praktikuan Leonardo, Mikelanxhelo dhe Rafaeli në dy dekadat e para të shekullit të 16-të. Në portretizimin e njeriut të zhveshur, standardet e kompleksitetit formal u vendosën nga Mikelanxhelo, kurse norma e idealizimit të bukurisë nga Rafaeli. Mirëpo, puna e pasardhësve manieristë, të obseduar pas stilit dhe teknikës në përbërjen figurore, e kapërcuen disi rëndësinë dhe kuptimin e përmbajtjes.

 

Me sa duket, një vend të rëndësishëm zinte zgjidhja e kapërcimit të problemeve të ndërlikuara artistike, të tilla si portretizimi i lakuriqsisë në pozicione komplekse dhe artificiale.

Bronzino studioi veç e veç me piktorët fiorentinë Raffaellino del Garbo dhe Jacopo da Pontormo para se të fillonte karrierën si artist. Puna e tij e hershme u ndikua shumë nga Pontormo. Ai përvetësoi stilin e çuditshëm dhe ekspresiv të mjeshtrit të tij (manierizmi i hershëm) për të krijuar një stil brilant, stilin e vet linear, i cili u ndikua pjesërisht nga Mikelanxhelo dhe veprat e fundit të Rafaelit. Mes viteve 1523 dhe 1528, Bronzino dhe Pontormo bashkëpunuan në dekorimet e brendshme të dy kishave fiorentine. Në 1530, Bronzino shkoi në Pesaro, ku pikturoi për një kohë të shkurtër afreske në Vilën Imperiale para se të kthehej sërish në Firence.

Nga 1539 deri në vdekjen e tij në 1572, Bronzino shërbeu si piktor i oborrit për Cosimo I, Dukën e Firences. Ai ishte i angazhuar në një sërë komisionesh, duke përfshirë dekorime për dasmën e dukës me Eleonorën e Toledos (1539), si dhe një kapelë fiorentine në nder të saj (1540-45). Afresket që pikturoi aty përfshinin Moisiu duke goditur shkëmbin, Mbledhjen e Manës dhe Shën Xhon Ungjillorin. Krijoi gjithashtu piktura mitologjike si Alegoria e Luksit (e quajtur edhe Venus, Cupid, Folly dhe Time, 1544-45), ku vërehet dashuria e tij për simbolikën komplekse, pozicione të trilluara dhe ngjyrat e kthjellëta dhe të shkëlqyera.

Prej viteve 1540, konsiderohet si një nga piktorët e parë të portreteve në Firence. Eleonora e tij e Toledos me të birin e saj Xhovani dhe Portreti i një vajze të re me një libër lutjesh (1545) janë shembujt më të shquar të portretizimit manierist: emocionalisht të padukshëm, të rezervuar dhe jo të komplikuar, veçse mrekullisht elegantë dhe dekorativë. Vlen të përmendet edhe aftësia e madhe teknike e Bronzinos dhe rrumbullakësia e stilizuar e formave anatomike të sinqerta. Portretet e tij të shumta të familjes mbretërore përfshijnë Cosimo në Armor (1543), Xhovani me një gardalinë (1545) dhe Cosimo në moshën tridhjetë e gjashtë vjeç (1555-56).

Piktura e fundit e Bronzinos ishte Noli me tangere (1561). Meqenëse artistët italianë e braktisën manierizmin në vitet 1560, Bronzino u përpoq të përshtaste stilin e vet karakteristik duke shtuar qartësinë në punën e tij. Kjo dallohet në pikturat e tij të fundit, duke përfshirë Mëshirë (1569) dhe Ngritja e vajzës së Jairus (1571-72).

Manierizmi fitoi popullaritetit të madh ndërkombëtar derisa pikturat e Annibale Carracci dhe të Caravaggio rreth vitit 1600 e vunë në hije stilin, duke mbizotëruar gjatë stili barok. Për një kohë të gjatë u konisderua si stil dekadent dhe anarkik, duke çuar kështu në degjenerimin e prodhimit artistik të Rilindjes.

Mirëpo, në shekullin e 20-të stili u vlerësua përsëri për shkak të bravurës teknike, elegancës dhe gdhendjes. Intensiteti shpirtëror i manierizmit, estetika e saj komplekse dhe mendore, eksperimentimi i saj në forma, si dhe ankthi i vazhdueshëm psikologjik i shfaqur në të, e bëri stilin tërheqës dhe interesant për temperamentin modern, ku u panë ngjasime midis saj dhe tendencave moderne ekspresioniste në art.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Projekti i nxënësve të shkollës "Raqi Qirinxhi"

Art dhe dituri në 3D