De Biasi mund të rikthehet të drejtojë në Serie A. Emri i tij është lakuar përsëri. Filippo Inzaghi dhe Giani De Biasi po kryqëzohen në mënyrë të çuditshme në këto dy vite, pasi shpesh janë përmendur për të zëvendësuar njëri-tjetrin në pankinën e skuadrave që kanë drejtuar.
Kur De Biasi la pankinën e Shqipërisë, “SuperPippo” u bë menjëherë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kuqezinjve, pasi presidenti Duka e preferonte atë si një emër me shumë eksperiencë, Inzaghi refuzoi ofertën nga FSHF dhe zgjedhja më pas ra te një tjetër ish-futbollist italian, Christian Panucci.
Tani De Biasi po “kërcënon” pankinën e Inzaghit te Bologna në Serie A. Situata e ekipit nuk është e mirë dhe ish-sulmuesi rrezikon seriozisht shkarkimin, pasi me një skuadër që teorikisht ishte përforcuar në krahasim me vitet e kaluara, sheh veten në zonën e ftohtë të klasifikimit dhe nuk fiton që nga shtatori.
Në mediet italiane kanë filluar të qarkullojnë emrat e zëvendësuesve të mundshëm të Inzaghit, me De Biasin i cili për momentin duket se është në garë me Prandelli-n dhe Mihajloviç për t’u ulur në pankinën e klubit të Serie A.