MENU
klinika

Konferenca e Bankës së Shqipërisë

Ekonomia e paskrizës, sfidat për bankat qendrore

02.11.2018 - 13:08

Globalizimi, zhvillimet e vrullshme dhe inovacioni i pandalshëm në tregjet financiare, si dhe ndërlidhja që ka shëndeti i sistemit financiar me transmetimin e politikës monetare dhe me shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë, janë sfidat kryesore me të cilat do të përballen Bankat qendrore. Banka e Shqipërisë zhvilloi të enjten konferencën vjetore me temë: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.

Folësit paraqitën sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vogla e të hapura, të cilat bëhen akoma më të vështira kur këto vende kanë qenë dhe mbeten subjekt i goditjeve të shpeshta nga tregjet financiare botërore, politikat monetare të bankave qendrore kryesore, por edhe ndikimit që ka rregullimi dhe oreksi për rrezik i sistemit financiar botëror.

Për këtë arsye, dilemat e politikës monetare për vendet në zhvillim janë edhe më komplekse se ato për vendet e zhvilluara. Këto vende duhet të marrin në konsideratë trilemën e pamundur të politikës monetare: ruajtjen e një kursi fiks këmbimi, zbatimin e një politike monetare të pavarur dhe qarkullimin e lirë të kapitalit me partnerët e huaj.

Një prej konkluzioneve që u mbështet gjerësisht nga të pranishmit ishte se eksperienca e vendeve të rajonit ka treguar se ekziston një gamë e pasur zgjedhjesh të suksesshme në kuadrin teorik dhe praktik të politikës monetare. Megjithatë, këto zgjedhje duhet të jenë gjithnjë konsistente në prioritetet që vendosin, në instrumentet që përdorin, dhe në koordinimin e tyre me stabilitetin financiar, politikën fiskale dhe reformat strukturore.

Po ashtu, folësit theksuan nevojën e mbështetjes së politikës monetare me instrumente mbikëqyrëse dhe rregullatore – apo të ashtuquajturat politika makroprudenciale – si dhe me reforma strukturore, të cilat nxitin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe lehtësojnë transmetimin e masave të bankës qendrore.

Në ditët e sotme, bankat qendrore përballen me sfida të reja globale që lidhen me sektorin financiar, për të cilat ato duhet të jenë të vëmendshme. Ndër elementet kryesorë vlen të përmenden zbatimi i parimeve të Bazel III, përforcimi i kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës për menaxhimin e rrezikut, si dhe krijimi i kapitaleve shtesë të mjaftueshëm për përballimin e krizave të mundshme në të ardhmen.

Në këtë aspekt, rëndësi paraqet edhe harmonizimi me aspektet ligjore të BE, krijimi i një strukture efikase, bashkëpunimi aktiv midis institucioneve të mbikëqyrjes bankare evropiane dhe atyre kombëtare me qëllim shkëmbimin e informacionit bankar.

Risitë teknologjike në tregun financiar, si dhe sfidat që ato parashtrojnë për bankat qendrore në kuadër të politikës monetare dhe stabilitetit financiar janë tema mjaft aktuale dhe për këtë arsye ato u trajtuan gjerësisht në një prej sesioneve të konferencës.

Dihet se instrumentet e reja krijojnë mundësi për përfshirje më të madhe në sistemin financiar, duke sjellë përfitime sociale dhe ekonomike për shoqërinë. Por, nga ana tjetër, bankat qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse duhet të jenë vigjilente dhe të përgatitura duke koordinuar aktivitetet e tyre mbikëqyrëse dhe ato rregullatore për të garantuar mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e këtyre instrumenteve të reja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Konferenca e Bankës së Shqipërisë

Sejko: Premisa pozitive për rritjen