MENU
klinika

Rezultatet e 9-mujorit

Ja bankat me fitim dhe ato me humbje

16.11.2018 - 10:47

Rezultati financiar i bankave tregtare është polarizuar edhe më shumë në tremujorin e tretë të vitit. Bankat me pjesë të madhe tregu, kryesisht BKT dhe Raiffeisen kanë rritur më tej fitimet e tyre, ndërsa një pjesë e madhe e bankave të mesme dhe të vogla vazhdojnë të jenë me humbje. Rezultatet individuale të bankave po dëshmojnë prej kohësh se përfitueshmëria e lartë nuk është aspak një rregull për të gjithë.

Për 9-mujorin, Banka Kombëtare Tregtare raportoi mbi 5 miliardë lekë fitime, e ndjekur nga Raiffeisen me 3.5 miliardë lekë dhe Intesa Sanpaolo me 1.4 miliardë lekë. Të treja këto banka së bashku kanë fituar afro 10 miliardë lekë ose disa herë më shumë se gjithë bankat e tjera të marra së bashku.

Ndër bankat e mëdha, edhe Credins vazhdon të ketë rezultate pozitive, por me fitime më të ulëta, me 112 milionë lekë për 9-mujorin e parë të vitit.

Rezultate të mira po shfaqin edhe një grup i bankave të mëdha dhe të vogla, të cilat prej vitesh janë në një cikël pozitiv të rritjes dhe performancës. Këtu përfshihen Societe Generale, Union Bank, ABI Bank dhe Fibank. Të katër këto banka, së bashku, kanë fituar rreth 2 miliardë lekë për 9 muaj.

Bankat e tjera kanë rezultate negative. Bankat e mbetura greke, Tirana Bank dhe Alpha Bank raportuan fitime modeste në tremujorin e tretë, por rezultati progresiv ngelet negative, me humbje përkatësisht prej rreth 800 dhe 300 milionë lekësh.

Rezultate thellësisht negative kanë raportuar edhe dy bankat që në tremujorin e tretë përmbyllën procesin e shkrirjes me blerësit e rinj. Veneto Banka kishte humbje në vlerën e 974 milionë lekëve, ndërsa NBG bank në vlerën e 441 milionë lekëve. Me këto rezultate, ato kanë gërryer ndjeshëm përfitueshmërinë e blerësve të rinj.

Kështu, nëse nga fitimi i Intesa zbresim humbjen e transferuar nga Veneto Banka, fitimi i grupit Italian zbren rreth 400 milionë lekë. Nëse rezultatit të ABI Bank i zbresim humbjen e NBG Bank, atëherë fitimi ulet në më pak se 100 milionë lekë.

Humbje ka raportuar ede ProCredit Bank, me 550 milionë lekë, Banka e Kreditit të Shqipërisë, me 68 milionë lekë dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare, me 56 milionë lekë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN