MENU
klinika

Etrit Berisha

Kjo është pritja e javës në Serie A…

05.11.2018 - 17:22

Një pritje fantastike e Etrit Berishës ndaj Bologna-s i mundësoi dje Atalanta-s të merrte tri pikët në një ndeshje. Në minutat e fundit, Palacio kishte mundësinë të barazonte rezultatin i cili 2-1 për bergamaskët. Gjuajtja e tij pak hapa larg portës mund të përfundonte në rrjetë, po të mos ishte për Berishën.

I akuzuar shpesh se gabon daljet, këtë radhë portieri i përfaqësueses shqiptare ka treguar të gjithë aftësitë e tij me një shkëputje të jashtëzakonshme duke ndalur sulmuesin e rrezikshëm të Bolonjës me një fluturim spektakolar.

Ajo ndërhyrje rezultoi vendimtare, pasi më pas Bologna nuk krijoi më raste të tjera dhe Atalanta doli me tri pikë nga fusha e lojës, duke bërë hapin e radhës në renditje.

 

Për këtë paraqitje, të gjithë mediat kryesore italiane i kanë dhënë notën më të lartë të ndeshjes Berishës, duke e shpallur lojtarin vendimtar të kësaj sfide. Portieri shqiptar është vlerësuar me 7 nga “La Gazzetta Dello Sport”, “Tuttosport” dhe “Corriere Dello Sport”, ndërsa “L’ Eco Di Bergamo” i ka vënë 7,5.

Kuptohet që me paraqitje të tilla, të gjithë parashikojnë që Berisha të vazhdojë të mbetet titullar tek Atalanta, ku muajt e fundit ishte vënë në diskutim edhe vazhdimësia e tij në këtë klub.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN