MENU
klinika

Champions League

Klopp vendos për Shaqirin në Beograd

05.11.2018 - 11:49

Që pas hedhjes së shortit të Champions League për sezonin e ri, një nga temat e diskutuara ishte udhëtimi i Xherdan Shaqirit në Beograd ose jo, për ndeshjen Crvena Zvezda-Liverpool. Kjo si pasojë e ngjarjeve të fundit në Botëror, ku shqiptari bëri gjestin e shqiponjës pas golit të shënuar ndaj Serbisë.

Është komentuar shumë nga të dyja palët, vetë Shaqiri ka deklaruar se nuk ka aspak frikë të udhëtojë në Beograd (shtetas zviceran), por Liverpool e ka lënë jashtë skuadrës. Klubi e ka marrë këtë vendim për shkak të polemikave serioze, që mund të lindin në kryeqytetin serb nga prania e Xherdan Shaqirit.

Trajneri Jurgen Klopp ka vendosur ta lërë jashtë skuadrës së tij 27-vjeçarin, për transfertën serbe të së martës. “Është një situatë, ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli, vetëm për të luajtur futboll, – tha Klopp, në një deklaratë në faqen e internetit të Liverpool.

klopp shaqiri
klopp shaqiri

Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulime të ndryshme, po flasim për atë lloj pritjeje, që Shaqiri do të merrte në Beograd. Megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind te futbolli.

Nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpool, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më të gjerë se kaq. Ne nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo, duam që fokusi të jetë një lojë e madhe futbolli, asgjë tjetër. 

Ne jemi të etur për të respektuar këdo, për të shmangur çdo incident, që do të përqëndrohej larg nga gara 90-minutëshe në fushën e blertë. Plus kësaj, për ne është e rëndësishme të flitet për futboll dhe vetëm për futboll. Shaqiri është lojtari ynë, e duam atë. Ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën” ka deklaruar Klopp. Nga Shaqiri nuk ka asnjë reagim…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Champions, Liverpool-Crvena Zvezda

Lojtari i Zvezdas: Shaqiri, provokator!

Flet drejtori i Crvena Zvezda-s

Serbi: Detyra jonë të mbrojmë Shaqirin