Pasi ka thyer rekordin e Romës me 10 fitore radhazi nga starti, duket se PSG i ka vënë syrin një tjetër rekordi në Europë, që mbahet nga nga Inter, me 17 fitore resht në mesin e kampionatit 2006-2007. Mbappe dhe Neymar kanë qenë autorët e fitores 2-1 ndaj Lille në javën e 12-të.
Pas disa rasteve të humbura në pjesën e parë, ka qenë Mbappe që i ka dhënë avantazhin skuadrës së Tuchel në minutën e 70-të. Sulmuesi francez ka mposhtur portierin Maignan me një magji nga jashtë zone dhe është bërë lojtari më i ri (19 vjeç, 10 muaj e 13 ditë) që shënon 40 gola në Ligue 1 në 45 sezonet e fundit.
Më pas ka qenë Neymar që ka realizuar golin e dytë pas një kombinimi të bukur me Mbappe. Miqtë kanë ngushtuar diferencat në minutën e 93-të me penalltinë e shënuar nga Pepe pas prekjes së topit me dorë të Kehrer, por nuk kanë arritur ta shmangin dot humbjen.
Kampionati mund të quhet një çështje e mbyllur për PSG që tani duhet të përqendrohet te Champions League, duke parë se mesjavën e ardhshme do të ketë një ndeshje delikate në fushën e Napoli-t.