Ditën e djeshme, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte në Kalabri të Italisë, teksa ka marrë pjesë edhe në aktivitetet e veçanta që janë organizuar atje në kujtim të figurës së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në 550 vjetorin e vdekjes së tij.
Gjatë këtyre aktiviteteve, ai ka zhvilluar një takim mjaft të veçantë, pasi është prezantuar me një prej futbollistëve të përfaqësueses shqiptare, i cili mban emrin e heroit tonë kombëtar, Kastriot Dermakun.
Mbrojtësi i Cosenza-s ka qenë ndër të ftuarit në një takim në Universitetin e Kalabrisë, si një prej figurave që afrojnë dy popujt edhe sot e kësaj dite. Edhe klubi i Cozensa-s i ka dhënë rëndësi të veçantë këtij takimi për mbrojtësin, i cili pas pak ditësh do të udhëtojë drejt vendit tonë për t’iu bashkuar Kombëtares së drejtuar nga Panucci.
Dermaku u grumbullua për herë të parë muajin e kaluar nga Panucci, ndërsa tani është i gatshëm, për dy ndeshjet e radhës, atë me Skocinë për Ligën e Kombeve dhe Uellsin miqësore.
“Presidenti Meta deshi të përshëndeste futbollistin Kastriot Dermaku, mbrojtës i Kozencës dhe kombëtares shqiptare. Emri i qendërmbrojtësit kujton familjen fisnike të patriotit i cili mbrojti Shqipërinë dhe të gjithë Europën nga sulmet e Perandorisë Otomane dhe sot Kastrioti përfaqëson më së miri raportin e vëllazërisë mes popullit italian dhe atij shqiptar.
Për lojtarin kuqeblu është një vlerësim i rëndësishëm që ndjek dy ftesat në kombëtare dhe debutimin në ndeshjen kundër Jordanisë në tetor 2018”, – shkruhej në njoftimin e klubit për këtë takim të veçantë.