Kombëtarja shqiptare po vuan mungesat e shumta të futbollistëve cilësorë për dy ndeshjet e fundit të vitit, por sidomos të parën me Skocinë më 17 nëntor, ku do të mungojë edhe Hysaj e Basha, që janë të skualifikuar nga kartonët.
Panucci duket se nuk do të ketë edhe shërbimet e mbrojtësit Ivan Balliu, për shkak se klubi ku mbrojtësi kuqezi aktivizohet, Metz, nuk e ka lejuar grumbullimin e këtij të fundit me kombëtaren kuqezi.
Sipas klubit francez, ftesa e FSHF-së ka ardhur një ditë me vonesë dhe, si pasojë, nuk e ka lejuar mbrojtësin të bashkohet me pjesën tjetër të kombëtares. Burime pranë FSHF-së konfirmojnë se Balliu nuk do të jetë pjesë e kombëtares për dy sfidat kundër Uellsit dhe Skocisë.
Edhe vetë Balliu ka postuar në rrjetet e tij sociale një foto, e cila tregon se mbrojtësi kuqezi ndodhet në Spanjë. Probleme ka shfaqur edhe sulmuesi Rey Manaj. Sulmuesi lushnjar është dëmtuar lehtë dhe është në dyshim të madh.
Trajneri Christian Panucci ka zbuluar ditën e sotme në konferencën për shtyp se me ekipin kombëtar mund të bashkohet talenti i Shpresave, Fiorin Durmishaj. 21-vjeçari është njoftuar dhe pritet një përgjigje, nëse do t’i bashkohet apo jo Kombëtares së Panuccit.
Durmishaj nuk është aktivizuar asnjëherë me ekipin A dhe nuk përjashtohet mundësia që ai ta refuzojë ftesën për të pritur një sinjal nga Greqia. “Mund të vijë Durmishaj, e presim sot, Manaj ka disa probleme, është dëmtuar, ndaj na duhen përforcime. Kam folur me Bushin, i kam shpjeguar që na duhet Durmishaj, të shohim”, – u shpreh Panucci.