Një tjetër çështje është hapur dje në Greqi, kësaj here në lidhje me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, që luan në kampionatin grek me Aris të Selanikut së bashku me Migjen Bashën.
“Federata Shqiptare e Futbollit po bllokon pjesëmarrjen e Mërgim Mavrajt në ndeshjen ndaj Apollon Smirnis, të hënën, në ‘Rizoupoli’. Me letrën e tyre, dërguar për klubin selanikas, shqiptarët po kërkojnë që Mavraj të mos lejohet të marrë pjesë në këtë ndeshje, sepse ekipi kombëtar shqiptar do të nisë grumbullimin këtë ditë, për sfidën e fundjavës së ardhshme me Skocinë.
Vetë Mavraj dëshiron të luajë dhe ta ndihmojë klubin e tij, por nëse e bën këtë, atëherë do të ndëshkohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Përkundrazi, nuk ka dyshime për Migjen Bashën, i cili është i pezulluar për ndeshjen me Skocinë dhe do të vihet në dispozicion të kombëtares shqiptare për miqësoren pas saj”, – shkruan “makthes.gr”.
Vetë Mavraj ka komunikuar me trajnerin Christian Panucci për këtë situatë, duke i kërkuar atij të lejohet që të luajë të hënën për klubin dhe pastaj t’i bashkohet direkt grumbullimit të kuqezinjve.
Por, Panucci ka qenë i prerë, duke i thënë kapitenit se nuk bën asnjë përjashtim, të gjithë janë të barabartë dhe duhet të vijnë në kombëtare sipas rregullave të tij dhe atyre ndërkombëtare, në kësi rastesh.
Precedenti i i vendosur nga trajneri kuqezi me Sokol Cikalleshin në fillim të punës së tij, duket se është vijë-sjellje e padiskutueshme e italianit me të gjithë lojtarët e Kombëtares.