MENU
klinika

Kryeson BKT

Pesë bankat më të mëdha në Shqipëri

20.11.2018 - 14:30

Banka Kombëtare Tregtare (BKT) po thellon këtë vit pozicionin si banka më e madhe në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit, BKT zotëronte aktive totale në vlerën e 420 miliardë lekëve ose 3.4 miliardë euro. BKT zotëron 28.4% të aseteve totale të sistemit bankar shqiptar, nga 27.8% që mbante në fund të vitit të kaluar.

Dikur banka më e madhe në Shqipëri, Raiffeisen vazhdon të zvogëlohet. Banka me kapital austriak mban ende vendin e dytë në treg, me 15.1% ose rreth 224 miliardë lekë aktive. Megjithatë, pjesa e saj e tregut është në rënie me ritme të shpejta. Për 9 muaj, kjo pjesë ka rënë me rreth dy pikë përqindjeje.

Credins, banka më e madhe me kapital shqiptar,  renditet e treta, me 12.9% të aktiveve të tregut bankar. Në vitet e fundit, Credins është rritur me ritme mjaft të larta dhe pritet që në një horizon afatmesëm të bëhet banka e dytë më e madhe në vend, duke parë rënien e vazhdueshme të Raiffeisen.

Banka e katërt më e madhe është Intesa Sanpaolo, me 11.4%, për një total aktivesh prej 169 miliardë lekësh. Pas një rënieje disavjeçare, banka e grupi milanez i është rikthyer rritjes dhe gjatë nëntë muajve të këitj viti ka fituar 0.5% pjesë tregu.

Banka e pestë më e madhe në Shqipëri është Societe Generale Albania, me 5.7% të tregut, për një vlerë totale prej 84.6 miliardë lekë asete. Megjithëse ndodhet në procesin e shitjes te grupi hungarez OTP, tranzicioni i pronësisë nuk e ka ndikuar shumë biznesin e bankës, që ka vazhduar të rritet edhe këtë vit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN