Zgjedhjet afatmesme të së martës në SHBA mund të krijojnë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si Presidenti Donald Trump do të kërkojë të arrijë qëllimet e tij brenda vendit, por rezultatet mund të mos kenë shumë rëndësi për politikat tregtare.
Filozofia “Amerika e Para” e Trump nuk ka gjasa të ndryshojë edhe pasi demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve.
Të martën vonë rezultoi se demokratët kishin marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa republikanët kishin ruajtur kontrollin e Senatit. Të dy dhomat përbëjnë Kongresin, që është organi kryesor vendimmarrës i vendit, dhe kërkohet miratimi i të dyjave për ligjet.
Rezultati mund ta pengojë disi Trumpin tani në disa fusha si shpenzimet ushtarake. Por në politikat tregtare, Trump gëzon pushtet ekzekutiv dhe mund të vendosë vetë pavarësisht Kongresit.
Kjo sepse “Kongresi nuk ka shumë aftësi për të kontrolluar politikën tregtare”, shkruajnë analistët në RBC Capital Markets.
Çfarë do të thotë kjo për Kinën, BE-në dhe të tjerët?
“Për tregtinë, gjendja do të jetë e njëjtë, nëse nuk bëhet më keq, sa i përket SHBA-Kinës”, tha Steven Okun, këshilltar i lartë i McLarty Associates, për CNBC.
Edhe demokratët, edhe republikanët kërkojnë një qëndrim më të ashpër lidhur me Kinën. Si rezultat, presidenti mund të gëzojë mbështetjen dypalëshe.
“Ka më pak rrugë të mesme për politikat e tregtisë sesa ka patur historikisht,” tha David Adelman, ish-ambasador i SHBA në Singapor dhe profesor në Universitetin e Nju Jorkut.
“Demokratët partizanë tradicionalisht kanë qenë partia më proteksioniste, ndërkohë që republikanët e Trumpit janë jashtëzakonisht të ashpër në lidhje me gjithçka që ka të bëjë me Kinën”.
Si rezultat, Adelman tha se zgjedhjet afatmesme nuk do të ndikojnë politikat e Trumpit.
“Tregtia nuk është një çështje shumë e rëndësishme për demokratët, por megjithatë nuk ka gjasa që ata të mbështesin një luftë tregtare me aleatët tradicionalë si Bashkimi Europian apo KIna”, thane një grup ekonomistësh para zgjedhjeve të së martës.
“Tërheqja e SHBA-së nga Organizata Botërore e Tregtisë nuk ka gjasa të marrë shumë mbështetje nga demokratët” vazhduan më tej ata.