MENU
klinika

Albert Çaçi

Sanksionet e ponderuara

11.11.2018 - 10:29

Më datën 4 nëntor hyn në fuqi një sërë sanksionesh dragoniane ndaj Iranit nga ana e SHBA. Këto sanksione ishin paralajmëruar 6 muaj më përpara kur SHBA vendosi të linte në mënyrë unilaterale marrëveshjen nukleare 5+1 me Iranin. Thelbin e këtyre sanksioneve e përbën embargoja ndaj naftës ku Irani është një nga 4 eksportuesit më të mëdhenj në botë.

Sipas deklarimeve të bëra edhe nga vetë Trump, objektivi ishte që në këtë nëntor eksporti i naftës iraniane të reduktohej në zero duke i dhënë një goditje apokaliptike ekonomisë iraniane.

Por në fund të tetorit SHBA, në mënyrë të papritur njoftoi se 8 vende mund ta vazhdonin importin e naftës nga Irani edhe për 6 muaj të tjerë. Dhe për më tepër këta vende ishin importuesit më të mëdhenj të naftës iraniane, Kina, India, Turqia, Japonia, Koreja, shtuar këtu edhe Italia, Greqia dhe Taiwani për arsye të tjera.

Pyetja është se përse SHBA e ponderoi embargon e naftes iraniane (jo sanksionet) në momentin e fundit?
Ka disa arsye përse u mor ky vendim.

1-Në radhë të parë problemi është ekonomik.

Nga momenti kur Trump deklaroi në mars se do të dalë nga marrëveshja dhe do të vendosë sanksione, çmimi i naftës ishte rreth 45 dollarë për fuçi.

Për 6 muajt në vazhdim, në pritje të embargos ai erdhi duke u rritur dhe arriti në mesin e tetorit 88 dollarë për fuçi duke paralajmëruar se bllokimi eksportit iranian, duke zbritur ofertën botërore me 2 milion fuçi në ditë do ta çonte naftën mbi 100 dollarë brenda vitit.

SHBA janë konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë me rreth 1,1 miliard tonë në vit, dhe një çmim i tillë do të godiste rëndë edhe ekonominë amerikane duke frenuar rritjen ekonomike aktuale me rreth 4 % që konsiderohet si suksesi më i madh i Trump dhe që i dha mundësinë të fitonte Sebatin amerikan me 6 nëntor.
Këtu e ka bazën kryesore vendimi për të ponderuar embargon ndaj naftës iraniane. Mbas vendimit për të lejuar 8 shtetet që ta vazhdojnë importin, cmimi i naftës filloi zbritjen duke arritur aktualisht reth 70 dollarë per fuçi për naftën Brent. Siç duket, SHBA ka vendosur që të shtyjë për 6 muaj bllokimin total për të parë se çfarë pasoja reale do të ketë për ekonominë e SHBA në radhë të parë për të vendosur pastaj defitinivisht se si do të procedohet me tej. Një boomerang do të ishte i pafalshëm dhe me kosto të lartë politike.

2-Problemi i dyte është gjeopolitik.
Sanksionet e vendosura këtë javë kundër Iranit janë prova më e madhe deri tani e ambicieve të Donald Trump për të vepruar në mënyrë unilaterale duke sfiduar si fuqitë rivale Kinë, Rusi por edhe aleatët tradicionalë të SHBA si BE, Japoni, Kore dhe aleatin potencial gjeostrategjik Indinë.

Objektivi i Trump është që me një presion të fuqishëm ekonomik mbi Iranin ta detyrojë atë që të rinegociojë një marrëveshje të re dypalëshe sipas kushteve të SHBA, por edhe të realizojë objektivin tjetër më ambicioz atë që pakënaqësia popullore mund të rriten dukë rrëzuar regjimin e ajatollahëve.

Ndoshta do të jetë e vështirë që të realizohen të dy objektivat. Sanksionet mund ta vendosin Iranin nën një presion të fortë për një periudhë të gjatë kohe, por efiçenca e tyre do të varet shumë edhe nga presioni ndërkombëtar gjithëpërfshirës, që aktualisht mungon me gjithë përpjeket diplomatike të fuqishme amerikane.

Këtë radhë mungon një kualicion kundër Iranin jo vetëm nga rivalët Kina dhe Rusia por edhe nga BE dhe vendet limitrofe si Turqia dhe Iraku. 5 vendet firmatare të marrëveshjes Rusi, Kinë, Francë, Britani dhe Gjermania po mundohet ta mbajnë në këmbë marrëveshjen pa SHBA duke gjetur alternativa ndaj dollarit.

Rreziku për SHBA qëndron në faktin që këto vende jo vetem që nuk po i mbështesin sanksionet por që të gjithë kanë interes që ato të dështojnë.

Këta vende e kanë të qartë që nëse Trump do t’ia dalë, atëherë autoriteti i tyre ndërkombëtar do të dobësohet dhe SHBA mund ti demonstrojë gjthë botës se mund të veprojë edhe e vetme në mënyrë efikase pa ia patur nevojën askujt.

 

Bie në sy edhe një manovër gjeopolitike e SHBA. Duke u nisur nga fakti që si Kina, India por edhe Turqia deklaruan se do të vazhdojnë normalisht marrëdhëniet ekonomike me Iranin, SHBA i lejuan edhe për 6 muaj duke i lënë një shteg të lirë Iranit për ta ulur në bisedime dypalëshe si në rastin e Koresë së Veriut.
Në rast se Trump do të arrijë të nënshkruajë një marrëveshje dy palëshe me Iranin kjo do të jetë një fitore spektakolare për atë duke sfiduar gjithë botën.

Nga ana tjetër Trump bëri edhe një manovër tjetër të fortë. Nga të gjitha vendet e rëndësishme të BE Trump përjashtoi Italinë. Përjashtimi i Italisë në kulmin e debatit me BE për problemin e buxhetit është një mbështetje e fortë, që së bashku me mbështetjen e saj në Libi e kthen atë, dhe qeverinë e saj sovraniste, në aleatin më të privilegjuar brenda BE tashme që Britania u largua.

Kjo padyshim që është një lloj sfide ndaj aksit franko-gjerman që aktualisht ka marrëdhënie shumë të komplikuara me Trump për një sërë problemesh që nga lufta tregtare e deri tek shpenzimet për NATO-n dhe nga ana tjetër është impenjuar në një debat të fortë me Italinë.

Sidoqoftë Trump hapi një front të ri që padyshim nga mënyra se si do të evolojnë ngjarjet do të ketë pasoja si gjeoekonomike por edhe gjeopolitike .

Trump që po mbush tashmë 2 vjet në Shtëpinë e Bardhë e ka drejtuar politikën e jashtëme të SHBA në një mënyre sfiduse, jashtë të gjitha skemave të deritanishme dhe pa shume kortezi diplomatike.

Nuk përjashtohet apriori që edhe mund t’i detyrojë iranianët të gjejnë një marrëveshje dypalëshe duke dëshmuar aftësitë e tij negociuese që kundërshtarët e tij të shumtë vazhdojnë t’ja mohojnë,
Fitorja e Senatit dhe shumicës së governatorëve në zgjedhjet e fundit, që shumë pak presidentë e kane bërë zgjedhjet afatmesme dëshmon se Trump do të vazhdojë t’i zhgënjejë ata që presin me padurim dështimin tij.

Por sfida ndaj Iranit ështe beteja më e madhe e politikës së jashtme për Trump pasi sfida këtu është e dimensioneve globale.

Në rast se SHBA do ta thyejë Iranin pa ndihmën e të tjerëve, atëherë do të ishte konfirmimi më i mirë se bota edhe mbas 27 vitesh mbas rënies se BS vazhdon të jetë unipolare.

Por në rast se sanksionet do të dështojnë, atëherë do të rezultojë se sot në botë ka edhe aktorë të tjerë globalë dhe multipolarizmi është një fakt real.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ringjallja e Perandorisë Persiane të dikurshme

Irani kërkon të marrë nën kontroll Lindjen e Mesme me çdo kusht…

Deklarat e Sekretarit amerikan të mbrojtjes

“Rusia nuk mund ta zëvendësojë kurrë SHBA-në”