Banka e Shqipërisë organizoi të enjten konferencën e saj vjetore, me temë Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”.Guvernatori, Gent Sejko, u shpreh optimist për perspektivën e ekonomisë shqiptare. Sipas tij, ritmi i lartë i investimeve dhe dinamizmi i eksporteve në vitet e fundit, janë të gjitha premise pozitive se rritja ekonomike do të vazhdojë.
“Dinamizmi i sektorit eksportues dhe nivelet e larta të investimeve të huaja janë inkurajuese në drejtim të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, dhe dëshmi e kompetitivitetit dhe atraktivitetit në rritje të ekonomisë shqiptare. Efektet e rritjes ekonomike kanë filluar të jenë të pranishme në pothuajse të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë. Pjesëmarrja në forcat e punës dhe punësimi janë rritur; norma e papunësisë zbriti në 12.4% në tremujorin e dytë të vitit; dhe pagat kanë filluar të lëvizin për lart,” tha Sejko.
Duke u ndalur në sfidat e Bankave Qendrore, Guvernatori tha se normat natyrore të interesit kanë rënë dhe kjo i ngushton hapësirat për politika monetare stimuluese në të ardhmen. Sipas tij, kriza tashmë ka shtruar nevojën për modifikimin e mandatit të normave të Bankave Qendrore dhe pasurimin e instrumenteve të tyre. Por, ai theksoi njëkohësisht se është e rëndësishme të kuptohen edhe limitet e politikave monetare, që në nuk duhen parë si zgjidhje afatgjata dhe zëvendësuese të reformave ekonomike.
Guvernatori theksoi se gjatë viteve të krizës Banka e Shqipërisë hasi vështirësi në përcjelljen e stimulit të saj monetar në ekonomi. Kjo ndodhi për shkak të tregut të pazhvilluar financiar më vend, nivelit të lartë të kredive me probleme dhe euroizimit të theksuar të ekonomisë dhe sistemit bankar.
Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë përdori instrumente shtesë, si masat anticiklike për nxitjen e kreditimit dhe orientimet për kursin e politikës monetare në të ardhmen.