Përfaqësuesja e Kosovës në futboll shkroi historinë me paraqitjet e saj të shkëlqyera në ndeshjet e fundit. Dardanët kanë arritur të shkatërrojnë 4-0 skuadrën e Azerbajxhanit në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, duke e mbyllur kështu në vendin e parë të klasifikimit për grupin ku ndodhet.
Kosova nuk po përflitet vetëm në Europë për suksesin e saj, por edhe përtej Atlantikut, pra në Amerikë. Është revista e njohur “Forbes” që e ka hapur faqen e parë me pyetjen: “A është Kosova, historia më e madhe e suksesit të parë në Ligën e Kombeve?”
“Për disa nga kombëtaret e mesme të futbollit europian, ky kompeticion jep një mundësi për të luajtur ndeshje të rëndësishme kundër rivalëve të njëjtë, si dhe sigurimin e një rruge të mundshme për kampionatin europian të vitit 2020.
E për ndonjë kombëtare të vogël, ajo mund të ketë dhënë momentin më të madh në historinë e saj të futbollit”, – shkruan “Forbes”. Më tej revista amerikane vazhdon dhe vendos theksin te mënyra se si Kosova ka mbërritur deri këtu ku është sot.
“Sigurisht, historia e Kosovës në futbollin europian daton që nga viti 2016, por fitorja 4-0 ndaj Azerbajxhanit qëndron si ndeshja e saj më e mirë. Vendi, i cili shpalli Pavarësinë në vitin 2008, luftoi shumë për t’u pranuar në UEFA dhe e filloi jetën pa asnjë lojtar, pa stadium, por me shumë shpresë. Tani, Kosova ka një mundësi të mirë për t’u kualifikuar në ‘Euro 2020’” – mbyll shkrimin prestigjozja amerikane.