MENU
klinika

Sejdi Kapllanaj

Vuajtjet e popullit shqiptar përmes peizazheve!

21.11.2018 - 11:28

U hap dje në Prishtinë ekspozita e Sejdi Kapllanaj, me 40 piktura të cilat i kushtuan atij rreth 2 vjet punë.

Galeria është e mbushur rreth e qark me këto peizazhe, të cilat janë tepër të bukura, por thellë thellë kanë një mesazh të fortë, më të fortë se sa thjesht të bukura.

Duke vënë në punë imagjinatën dhe talentin e tij, Sejdi Kapllanaj ka realizuar plot 40 peizazhe, të cilat për post bukurisë së jashtme, brenda tyre kanë vuajtje nga histori shqiptare, që ka nisur vite e vite më parë, e po vazhdon edhe sot e kësaj dite.

“Të gjitha këto peizazhe janë vuajtja e popullit shqiptar ndër vite. Ka shumë vuajtje dhe mundim brenda tyre, por janë të gjitha të imagjinuara dhe më kanë ardhur si inspirim sidomos me stinën e vjeshtës. Ka dy vite që po punoj për këtë ekspozitë dhe sot jam i lumtur që këto ‘shkarravitjet’ e mia vijnë para publikut”, tregon artisti Sejdi Kapllanaj.

Me një numër jo të vogël ekspozitash personale, plot 25, Sejdi Kapllanaj këtë herë u paraqit në Prishtinë me peizazhet e tij ngjyra ngjyra, lineare, piktura në një vijë të drejtë që herë të japin përshtypjen se kanë një histori e skenar prapa tyre, e herë të duket se thjeshtë kanë humbur rrugën e janë parkuar në këtë galeri simpatike.

Subjekti i artistit në këtë ekspozitë është natyra, ashtu siç e ka krijuar Zoti. Pjesa dërrmuese e pikturave variojnë nga stili ekspresionist abstrakt e deri te arti modern, ku gërshetohen këto forma.

Në një formë, ekspozita është një stinë vjeshte që ka histori përmbajtësore të popullit shqiptar. Lisi është kryefjala, me fortësinë e tij edhe përkundër erërave dhe fortunave natyrore. Ai qëndron palëkundshëm.

Ekspozitën e ka përshëndetur edhe piktori Esat Valla, duke uruar që inspirimi i artistit Kapllanaj të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ekspozita e tij po vazhdon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.