MENU
klinika

Në formë huazimi

Armando Sadiku drejt rikthimit në Zvicër

10.12.2018 - 17:13

Duket se sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, sërish do të ndryshojë skuadër. Bomberi kuqezi pret të kthehet në fushën e lojës në pjesën e dytë të këtij sezoni, pasi do të lërë pas dëmtimin në gju që e detyroi të bënte ndërhyrje kirurgjikale në gusht.

Sulmuesi shqiptar synon që kthimin në formën më të mirë ta gjejë te klubi në Zvicër që i dha mundësinë të luante rregullisht pas operacionit të parë në gju, Lugano, ku ai luajti me rregullsi dhe po ashtu shënoi me rregullsi mbresëlënëse gjatë pjesës së parë të vitit 2017.

Sipas informacioneve nga Zvicra, palët janë thuajse plotësisht dakord që sulmuesi të kalojë pjesën e dytë të sezonit te klubi zviceran të cilin e njeh shumë mirë, thjesht klubi i ka kërkuar që të presë sa të mbyllë njëherë merkaton në dalje të lojtarëve që nuk janë në planet e tij.

Aty Sadiku do të kishte mundësinë të aktivizohej me shumë rregullsi dhe sigurisht që nuk do të kishte konkurrencën e ashpër si në kampionatin spanjoll ku hapësirat për të do të ishin minimale, aq më tepër te një skuadër si Levante e cila këtë vit gjendet në mesin e tabelës së klasifikimit e gjërat po i ecin relativisht mirë.

Gjatë karrierës së tij, Sadiku ka veshur në dy periudha të ndryshme fanellën e Luganos, duke ndihmuar skuadrën që të arrinte objektiva të rëndësishëm, ndërsa aty ka shënuar 38 gola në 62 ndeshje.

Në ditët në vijim pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj marrëveshje që e bën Sadikun përsëri pjesë të futbollit zviceran, ku ka kaluar pjesën më të lumtur të karrierës së tij. Lugano aktualisht gjendet në vendin e 8 në renditje, me 18 pikë, por zona e Europës është vetëm 5 pikë larg.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN