MENU
klinika

Të dhënat zyrtare

Banka e Shqipërisë: Turizmi me 1.5 miliardë euro xhiro

16.12.2018 - 17:43

Banka e Shqipërisë ka nxjerrur të dhënat zyrtare të cilët tregojnë se edhe këtë vit turizmi ka vijuar të zgjerohet me ritëm të lartë duke qenë se është edhe një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë shqiptare.

Ekonomia shqiptare përfitoi gati 1 miliardë e gjysmë euro të ardhura bruto nga turizmi në 9 muajt e parë të vitit. Sipas të dhënave të bëra publike në bilancin e pagesave për periudhën janar shtator të këtij viti, të ardhurat nga turizmi u rritën me 12 për qind duke arritur saktësisht 1 miliardë e 470 milionë euro nga 1 miliardë e 300 milionë euro që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

konica ekonomiakonica ekonomia mobile

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16 për qind më shumë se një vit më parë.

Por rritja e turizmit nuk është vetëm në kahun hyrës. Edhe shqiptarët kanë shpenzuar më shumë për udhëtime jashtë shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë për 9 muajt e parë të vitit, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë arritën në 1.1 miliardë euro.

Kjo bën që kontributi neto i sektorit të turizmit për ekonominë, pra diferenca mes të ardhurave nga turistët e huaj dhe shpenzimeve që shqiptarët bënë në vendet e tjera, të rezultojë rreth 370 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Edhe tremujori III në rritje

1.5 mld euro të ardhura nga turizmi