MENU
klinika

Champions League

Bayern mbetet i pari, mposhtet Juve e United

12.12.2018 - 22:57

Mbrëmja e sotme ka dhënë verdiktet e fundit në Champions League sa u përket grupeve, me skuadrat që kalojnë më tej, por edhe me ato që do të luajnë në Europa League. Bayern Munchen barazon 3-3 me Ajax dhe mban kreun, ndërsa spikat humbja e Juventus dhe e Manchester United.

GRUPI E

Bayern Munchen i mjaftonte një barazim në Holandë për vendin e parë ndaj një Ajax të rinuar dhe plot ambicie. Dhe këtë e ka arritur, teksa ka barazuar 3-3. Lewandowski kaloi miqtë në avantazh në minutën e 13-të të pjesës së parë.

Vendasit barazuan në minutën e 61-të me anë të Tadic. Ajax luajti mirë dhe u shpërblye në minutën e 82-të, kur sërish Tadic shënoi, kësaj here me penallti. Por 4 minuta më pas Bayern barazon po me penallti, Boateng tregohet i saktë.

Në minutën e 90-të Coman kalon në avantazh Bayern-in. Gjithsesi, ndeshja nuk do të mbaronte këtu, pasi Ajax barazon në minutën e 95-të. Të dyja skuadrat e mbyllën me 10 futbollistë, Muller u ndëshkua për Bayern.

Në ndeshjen tjetër, Benfica kishte siguruar kalimin në Europa League dhe përballë AEK në shtëpi është mjaftuar me fitoren minimale 1-0. Një sfidë pa shumë emocione, pasi luhej thjesht për statistikë.

GRUPI F

Manchester City ka përmbysur shifrat në “Etihad” ndaj modestëve të Hoffenheim. Ishin gjermanët që kaluan në avantazh me anë të Kramaric, i cili realizoi nga penalltia. Në fundin e pjesës së parë Sane barazoi shifrat. Ishte Sane sërish që shënoi për vendasit në 61’, duke fituar 2-1 dhe Manchester City mban kreun e grupit.

Në ndeshjen tjetër, Shakhtar Donetsk i duhej vetëm fitorja përballë Lyon dhe këtë e arriti për 1 orë lojë, por në fund ndeshja mbaroi 1-1. Në minutën e 22-të Moraes shënoi për ukrainasit. Gjatë pjesës së dytë ka pasur reshje dëbore, por nuk ka penguar mbarëvajtjen e ndeshjes. Lyon shënoi me Fekir në 65’ dhe kualifikohet si i dyti.

GRUPI H

Ashtu si në Grupin G, ku Real Madrid dhe Roma u mposhtën, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Grupin H. Juventus i vendit të parë dhe Manchester United i vendit të dytë, të pamotivuar, kanë humbur në transferta, përkatësisht 1-2 në Bernë ndaj Yong Boys dhe po 1-2 ndaj Valencias.

Cristiano Ronaldo dhe të gjithë yjet e Juventus kanë qenë në fushë, por kampionët e Italisë kanë pësuar humbjen e dytë në grup. Një humbje pa dëm për bardhezinjtë, që mbeten në krye. E njëjta gjë edhe për United, që mban vendin e dytë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN