Luftëtari ka bërë mirë në dy ndeshjet e fundit, duke marrë 4 pikë, madje kundër dy skuadrave të forta, si Skënderbeu dhe Partizani. Por në aspektin financiar klubi gjirokastrit është në krizë totale, saqë flitet edhe për eksod të futbollistëve.
Ndërkohë, ka ndryshime në klub. Nuk bëhet fjalë për aksionerë të rinj, por për administratorin e klubit, i cili rezulton të jetë larguar që më 5 dhjetor. Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë aksionere të Luftëtarit ka pranuar dorëheqjen e administratorit Donjaldo Hoxha. Ky i fundit ishte emëruar në këtë detyrë vetëm dy muaj më parë.
Ndërkohë, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Luftëtarit, Grigor Tavo dhe Aleksandër Misto, kanë emëruar si administrator të ri të shoqërisë Fatjon Kajushin, i cili do të jetë në këtë detyrë për një afat 3-vjeçar.
Klubi i Luftëtarit ka depozituar vendimin edhe në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), teksa sqaron se në mbledhje mungoi anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, Artur Dadaj.
Mirëpo, sipas statutit të shoqërisë, vendimet vlerësohen të vlefshme nëse janë të pranishëm më shumë se 1/2 e anëtarëve. Kësisoj, administratori i ri i klubit të Luftëtarit do të jetë pikërisht Fatjon Kajushi.
Ashtu si shumica e klubeve të futbollit në Shqipëri, edhe Luftëtari rezulton debitor në tatime. Por së fundmi klubit i janë bllokuar llogaritë edhe nga Zyra e Përmbarimit. Me një vendim të datës 4 dhjetor 2018 është vendosur masa e sekuestros konservative për klubin deri në një urdhër të dytë.