Pas kritikave të ashpra të tifozëve ndaj Thomas Strakoshas, sherrit të tij me shokun e ekipit Acerbi, por edhe postimin në Instagram, pikërisht në Greqi, të mërkurën doli një intervistë e të atit Fotaq Strakosha, që ka mbrojtur të birin në portalin “athletestories”, ku zbulon një letër të gjatë që i dërgoi të birit kohë më parë.
“Po kthehem nga stadiumi pas një derbi të ndezur mes Lazios dhe Romës, ndeshja e disatë që të pashë duke luajtur dhe ende po dridhem. Mrekullohem, sepse kurrë nuk do të kisha imagjinuar se mund të provoja ankth më shumë tani se kur isha vetë në fushë.
Por, në fund të fundit, asgjë nuk krahasohet me stresin me të cilin bashkëjetoj kur luan ti. Fakti është që, duke njohur mirë rolin që mbulon, jam tepër i shqetësuar, sepse e di mjaft mirë atë që mund të ndodhë nga një moment në një tjetër.
Po mendoj të vendosem në rolin tënd jo në momentet e bukura dhe kur gëzon, sepse ato janë të tuat. Po flas për momentet e vështira, sidomos ato. Po ëndërroj që të jem në vendin tënd, po mendoj si do të reagoja si portier, si do të menaxhoja situata të caktuara, sidomos dua të marr të gjitha përgjegjësitë si baba.
Më beso, e di që nuk funskionon kështu, biri im, por si thuhet në vendet ku jam rritur, mirënjohje pa u lodhur mund të kesh vetëm nga yt atë dhe qeni. Mënyra se si ke hyrë në futboll është pak a shumë ëndrra e çdo babai. Je rritur duke më pas mua idhull, pikë referimi.
Gëzimi më i madh që kam pasur është kur jam kthyer në shtëpi dhe t’i ishe duke parë e riparë pritjet e mia në video. Prej atëherë kuptova vendosmërinë tënde, kisha konceptuar dëshirën tënde për t’u afirmuar në futboll.
Zot, sa i vendosur ishe…Që në moshën 10 vjeç nise që të ruash veten, dietën, pushimin, organizove jetën tënde në mënyrë që në stërvitje të ishte sa më në formë. Në fillim te Panionios, më pas të mora tek APOEL. Në Qipro kuptova mirë se nuk ishte vetëm vendosmëri, por pasion dhe ëndërr.
Dallova që impenjoheshe më shumë, doje këtë nga jeta jote. Dëgjoje dhe sidomos ndiqje këshillat e trajnerëve të tu, përpiqeshe të ndreqje dobësitë, të mbyllje boshllëqet. Aty pata fatin të të ndihmoja që të përmirësoheshe, të përcillja gjithçka kisha nga eksperienca ime futbollistike.
E vetmja gjë që të mungonte ishte eksperienca. Pas një rikthimi të shkurtër te Panionos thirrja e Lazios dhe Italia. Nuk do të harroj kurrë udhëtimin familjar në Itali kur ishe tepër i ri dhe që ishim në stërvitjet e mikut tim Dimitris (Eleftheropoulos) në Trigoria.
Kur u kthyem në shtëpi shkruajte pas një foto – në Piazza del Popolo, nëse nuk gaboj – këtë herë si turist, herën tjetër si protagonist. E ndjeje Thomas. Edhe përtej moshës tënde dhe me fobinë time nëse do t’ia dilje, qëndrove 5 vjet në një shtet të huaj, punove fort dhe arrite që të imponoheshe në një skuadër të madhe si Lazio.
Në një nga klubet e mëdha europiane fitove kupën dhe Superkupën Italiane. Ndërkohë, zgjodhe të veshësh fanellën e Shqipërisë, një zgjedhje me të cilën u pajtova 100% dhe e kam mbrojtur edhe 73 herë. Më bëri krenar, sepse i di motivet.
Zgjodhe vendin e origjinës dhe prindërve të tu, duke respektuar rrënjët tona. Si ti, ashtu edhe yt vëlla, e respektoni dhe e dashuroni Greqinë, prandaj zgjedhje jote është e madhe.
Tashmë ke hapur krahët dhe je duke fluturuar, biri im. Meriton gjithçka që po jeton, është e gjitha vepër e jotja djali im. Duhet të pranoj se po admiroj karakterin tënd. Përtej faktit që kam qenë i ashpër me ty në të shkuarën, të jesh i sigurt se kënaqësia ime është e madhe, krenaria ime e paimagjinueshme, sepse je një djalë me këmbë në tokë.
Jam krenar për ty, po ndjek ëndrrat e tua duke arritur objektiva personale njëri pas tjetrit. Thuhet se dhurata më e madhe që mund t’i japë një baba të birit është të bëhet më i miri. Ne ia dolëm bir!
Duhet vetëm të shijosh udhëtimin përgjatë rrugës, në të mirë apo të keq, bëhet fjalë për një udhëtim magjik që shumë pak kanë mundësi të jetojnë. Shpresoj vetëm, që bashkë me nënën tënde të dashur Adelina, kemi ndërtuar baza solide që të jesh më i qetë në një nivel kaq të lartë.
Eshtë një kënaqësi e madhe që të dimë se je i lumtur edhe pse ke zgjedhur këtë jetë, ndërsa ndoshta bashkëmoshatarët e tu kanë një tjetër stil jete.
Deduksioni yt dhe sakrificat tregojnë gjithë respektin rreth asaj që bën. Më lër mua. Do të jem gjithmonë me ankth, i shqetësuar, do të kem zemrën që do të ma rrahë shumë shpejt sa herë që shoh të zbresësh në fushë. Një pjesë e imja do të jetë me ty, duke mbrojtur shtyllat. Të dua shumë, yt atë” – ka shkruajtur Foto Strakosha për djalin e tij, Thomas. (Telesport.al)