Kryeministrja e Britanisë së Madhe Tereza May mezi po përballonte Parlamentin për çështjen e Brexit, kur shokët e partisë së saj konservatore menduan t’i bënin edhe ata një test votëbesimi për t’i rrëmbyer vendin.
May arriti t’i shpëtonte edhe çarkut të shokëve. Por kjo nuk ndryshon asgjë në gjendjen jashtëzakonisht të komplikuar në Parlamentin britanik, ku kalimi i marrëveshjes së Brexit të arritur me Brukselin po bëhet gjithmonë edhe më i pamundur.
May tentoi edhe në takimin e fundit të 13 dhjetorit me liderat e BE për një modifikim të marrëveshjes por nga Brukseli erdhi një përgjijgje e ftohtë – Game over. Madje Junkers ishte më i qartë kur deklaroi “Ka qenë Britania e Madhe që donte të largohej dhe jo ne, kështu që mos prisni që të vijmë ne dhe të zgjidhim çështjen e marrëveshjes për Brexit në parlamentin britanik.
Është për herë të parë që në historinë e saj, Britania e Madhe po mposhtet nga Kontinenti i vjetër.
Demokracia shekullore britanike është duke humbur një betejë me demokracinë e re europiane.
Burokratët e ftohtë të Brukselit, që për më tepër nuk zgjidhen direkt, po ia dalin t’i mposhtin duke u “hakmarrë” për gjithë mposhtjet që iu ka bërë Britania në shekuj.
Po përse zgjidhja e kësaj “martese” po rezulton kaq e vështirë?
Pika kryesore e bllokimit rezulton të jetë Irlanda e Veriut. Siç dihet ishulli i Irlandës është i ndarë në dy pjesë, Republika e Irlandës dhe Irlanda e Veriut, që është pjesë e Britanisë së Madhe, së bashku me Skocinë, Wellsin dhe Anglinë.
Thelbi i problemit është kufiri midis dy Irlandave.
Pas Brexit, kufiri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës (BE), do të ndajë definitivisht dy entitetet. Por kjo bie në kundërshtim me një domument britanik me një rëndësi historike atë që quhet Akordi i të Premtes së Shënjtë.
Akordi i të Premtes së Shenjtë 20 vjet më përpara i dha fund separatizmit të Irlandës së Veriut.
Në këmbit të saj qeveria britanike iu premtoi si Dublinit dhe Belfastit, që midis tyre nuk do kishte një kufi fizik.
Ndërkohë autorët e marrëveshjes së Brexit kanë parashikuar që Irlanda e Veriut do të qëndrojë në Bashkimin Doganor dhe Tregun e Përbashkët Europian derisa Londra dhe Brukseli të arrijnë një marrëveshje të mëvonshme.
Mbështetësit e Brexit e kanë kundërshtuar këtë kushtëzim pasi në këtë mënyrë GB do të mbetet e kondicionuar nga Brukseli dhe gjithë Brexit do të humbiste objektivin e tij kryesor, atë të shkëputjes dhe pavarësine nga Brukseli.
Nga ana tjeter nëse Irlanda e Veriut në këtë mënyrë do të vazhdonte të përfitonte ndihmat ekonomike dhe përfitimet nga BE duke rizgjuar ndjenjat e saj separatist. Dhe mbi të gjitha Londra nuk mund të përfundojë marrëveshje tregtare me vende të treta pa miratimin e Belfastit dhe Brukselit.
Thjesht Londra nuk do të kishte pavarësinë që synonte Brexit.
Britanikët nuk mund ta injorojnë çështjen irlandeze për arsye politike, historike dhe mbi të gjitha ekonomike.
Irlanda e Veriut është një nga rajonet më të subvencionuara, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në gjithë Bashkimin Europian. Në fakt të gjitha subvensionet për bujqësinë, blegtorinë dhe industrinë ajo i merr nga BE. Ekonomitë e dy Irlandave janë shumë të lidhura ndërmjet tyre dhe një kufi fizik doganor do të krijonte shume probleme.
Biznesi i Irlandës së Veriut,. që është i mbështetur më shumë nga Londra po kupton që autoritetet britanike nuk mund të kompensojnë humbjet nga një hard Brexit. Nga ana tjetër subvensionet britanike ndaj Irlandës së Veriut po krijojnë shumë pakënaqësi në Angli, Uells dhe Skoci, pasi atyre po iu reduktohen shpenzimet sociale nga buxheti i Britanisë së Madhe.
Por ka edhe një problem politik relevant, pasi edhe e ardhmja politike e vet Mayt varet nga Irlanda e Veriut. Në zgjedhjet parlamentare të 2017, partia konservatore humbi shumicën në parlamet dhe qeverinë e ka krijuar falë mbështetjes së Partisë Unioniste Deokratike të Irlandës së Veriut. Pozicioni i DPU është që kufiri duhet absolutisht të mbetet i hapur.
Një skenar alternativ jo vetëm që do të shkatërronte Brexit, por edhe do të rrëzonte qeverinë britanike.
Ka edhe disa probleme të tjera që i shtohen problemit irlandezo-verior.
May ka premtuar se do ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga juridiksioni i Gjykatës Europiane, do të luftojë ashpër emigracionin dhe do të përçojë një politikë tregtare të pavarur nga BE dhe ky lloj Brexit kundërshtohet ashpër nga Laburistët.
Problem tjetër shumë specifik janë edhe tregjet financiare ku City i Londrës është një nga dy qendrat më të mëdha financiare në botë pas New Yorkut. BE është dakord që të lejohen shoqëritë financiare, dhe në përgjithësi biznesi britanik që të operojë në BE por me kushtin që të respektojë normat europiane. Dhe kjo për aktivitetin e City është shumë e komplikuar pasi ajo operon sipas një ligji shumë specifik britanik që i ka krijuar shumë lehtësira.
Edhe për emigracionin Britania kundërshton të ndjekë politikën europiane pasi kërkon të kontrollojë flukset sipas meritës dhe jo sipas origjinës.
Marrëveshja e Brexit parashikon një peruidhë tranzicioni deri në fund të vitit 2020, por kjo nuk i lehtëson britanikët nga fatura që duhet të paguajnë për largimin prej 39 miliard sterlinash.
Pas takimit të djeshëm në Bruksel, që rezultoi pa asnjë hap konkret, mundësia që Britania e Madhe të largohet pa marrëveshje të përbashkët me BE është shumë konkrete me gjithë pasojat e saj negative që ajo mbart.
Dhe nuk rrezikon thjesht në fushën ekonomike.
Mundësia që Skocia të kërkojë një referendum të dytë për pavarësi nga Britania, pas një hard Brexit jepet me një probabilitet shumë të lartë suksesi. Dhe me tej nuk dihet si do të shkojë për Irlandën e Veriut që mund të kërkojë edhe ajo referendum për bashkimin me Irlandën.
Asnjëherë që nga krijimi i Britanisë së Madhe në 1801, ajo nuk ka qenë në një situatë kaq të komplikuar politike dhe me kaq pikëpyetje për të ardhmen.
Dhe këtë situatë nuk e solli ndonjë luftë (pasi ajo në këta dy shekuj i ka fituar të gjitha) por një klasë politike që në një moment të caktuar nuk u tregua në lartësinë e duhur.
Elita politike britanike, me miratimin e referendumit për Brexit, (aq më tepër të pakërkuar) bëri një gabim llogaritje të jashtëzakonshëm, që demonstroi se sa larg gjykimit të njërëzve kishte shkuar duke mos kuptuar sensibilitetet e tyre për shumë probleme të akumuluara.
Dhe siç dihet, gabimet në histori kushtojnë shumë rëndë.
Albert Çaçi