Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vazhdon të ngelet i paralizuar. Të premten, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Zëvendësguvernatorja e Dytë, Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, zbatimin e politikës monetare, mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar dhe gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.
Më tej, u vijua me prezantimin e analizës së sistemit bankar për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku u vlerësua se gjatë periudhës, veprimtaria bankare u zgjerua, performanca financiare mbeti e mirë dhe sektori bankar qëndroi i mirëkapitalizuar e likuid.
Teprica e kredisë u rrit lehtë, ndërsa raporti i kredive me probleme ka rënë si ndaj një tremujori, ashtu edhe ndaj një viti më parë.
Rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës përgjithësisht tregojnë që në skenarin bazë dhe të moderuar, treguesit e kapitalizimit paraqiten të qëndrueshëm.
Gjatë takimit nuk u morën vendime. Çështjet e planifikuara për vendimmarrje do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse.