MENU
klinika

Reagimi i klubit shkodran

“Me miq ose pará”, Vllaznia largon të riun

21.12.2018 - 11:43

Një çështje ka plasur sot te Vllaznia. Futbollisti i ekipit U-19, Arsaed Rahova ka kërkuar kohët e fundit largimin nga kuqeblutë duke qenë se nuk është ndjerë mirë, ndërkohë që në një deklaratë për ‘Panorama Sport’, ai shprehet se te Vllaznia luajnë futbollistët me miq ose me pará.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të klubit, Vllaznia bën me dije të gjitha problemet që Rahova ka me klubin, ndërkohë që njofton edhe lënien e tij të lirë, por duke e detyruar që të paguajë të gjitha shumat e pashlyera në akademi.

NJOFTIMI I KLUBIT VLLAZNIA

“Në lidhje me shumë insinuata të dala në media dy ditët e fundit, sqarojmë se kjo zhurmë e krijuar, bëhet e qëllimshme për t’i prishur punë Vllaznisë. Sa i takon futbollistit Arsaed Rahova dhe deklaratave të fundit të tij, sqarojmë se që nga momenti i ardhjes së tij tek Akademia Vllaznia, ka ardhur me problematika, sepse nuk ka sjellë dokumentacionin e duhur nga KF Shkodra, me të cilin është stërvitur tre vite rresht.

vllaznia u19

Prandaj KF Vllaznia është në gjyq me këtë klub për periudhën e formimit të tij. Ndërkohë, më 24 janar të këtij viti ka firmosur kontratë me klubin Vllaznia dhe ai e di vetë se si ka firmosur, me gjithë këto problematika.

Me kalimin e muajve, lojtari duke qenë i pakënaqur, ka kërkuar të largohet nga Vllaznia. Pas disa kontakteve që kemi pasur me familjarët e tyre, kemi qenë të gatshëm ta japim në huazim, por nuk ka dëgjuar.

Ka kërkuar të marrë leje-kalimin pa shlyer asnjë detyrim ndaj KF Vllaznia, ndërkohë që kemi qenë të gatshëm ta lëmë të lirë nëse ai do të shlyente detyrimet e formimit ndaj KF Shkodra.

Por sërish nuk ka pranuar dhe, në këto kushte, del në media dhe hedh baltë mbi klubin Vllaznia, duke përmendur fjalë e shprehje të padenja për një futbollist. Sa i takon ndërhyrjeve të administratorit në formacionin e ekipit U-19 për ndeshjet e “Uefa Youth League”, besojmë se nuk është në karakterin dhe personalitetin e tij një veprim i tillë.

Kjo është lehtësisht e verifikueshme, sepse stadiumi ka kamera dhe për më tepër këto pretendime bien poshtë, sepse ky lojtar, por edhe Smajli kanë qenë titullar në formacion në atë ndeshje.

Bëjmë me dije se që nga dita e sotme futbollisti Arsaed Rahova është i lirë të largohet, duke paguar detyrimet që ka për periudhën e formimit te KF Vllaznia. Ne nuk jemi bërë asnjëherë pengesë për karrierën e asnjë futbollisti dhe shpresojmë që Rahova me shokë të flasin më shumë në fushë sesa në media.

Klubi dhe instancat e tij, përveç projekteve të tjera, e kanë vëmendjen tek Akademia dhe këtë e tregon se disa nga elementët më të spikatur të ekipit U-19 janë nën kontratë dhe këtu bëhet për Lekajn, Shimajn dhe Repajn”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN