Lionel Messi, ylli i futbollit botëror, ka bërë të ditur se i biri i tij 6-vjeçar, Thiago Messi, është shumë i dhënë pas futbollit dhe e kritikon pesë-herë fituesin e “Topit të Artë” sa herë që Barcelona nuk fiton.
Messi e ka thënë këtë gjatë një interviste me të përditshmen spanjolle “Marca”, ku ka folur për shumë gjëra lidhur me futbollin, si Guardiolën, Neymar, “Topin e Artë”, por ai është pyetur nga gazetari edhe për jetën personale…
Në këtë pikë të jetës tënde, a është futbolli ende prioritet në jetën tënde apo tani është zëvendësuar nga familja?
“Sapo lindën fëmijët e mi, prioriteti im ishte gjithmonë familja. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Natyrisht, unë e dashuroj futbollin dhe jetoj për të, por familja ime është mbi të gjitha”.
A janë tre fëmijë mjaftueshëm apo dëshiron edhe më shumë?
“Ciro vetëm tani ka filluar të ecë. Antonela dhe unë do donim ta kishim edhe një vajzë, por do ta shohim, është ende herët”.
I kemi parë djemtë e tu, Mateon dhe Thiagon, në “Camp Nou”, çfarë lloj gjërash të pyesin ata që të bëjnë ty përshtypje?
“Që të dyve u pëlqen futbolli shumë. Thiago kupton më shumë, sepse është më i madh dhe diskuton gjithçka për ndeshjet. Ai është shumë i përfshirë”.
A kërkon ai shumë nga ti?
“Po, po… Unë tashmë i kam marrë disa kritika nga ai. Ai e ndjek Barcelonën, La Liga-n dhe Champions League. I pëlqejnë shumë, bën pyetje, më tregon për gjëra dhe ma bën me dije kur gjërat nuk janë në rregull”.
A është e vërtetë që kur Barcelona humbet, ju nuk flisni për futboll në shtëpi?
“Më parë ishte kështu, por tani jo. Është gjithmonë e vështirë t’i kapërdish humbjet dhe paraqitjet e këqija, por Thiago më detyron t’i komentoj gjërat se si ndodhën dhe t’ia shpjegoj se pse nuk fituam. Flasim shumë më shumë tani”.