Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i bëri thirrje sistemit bankar të gjejë mënyrat për të rritur kreditimin. Duke folur në takimin e fundvitit, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Sejko tha se huadhënia se është shumë larg potencialeve.
“Mirëkuptoj deri diku faktin që në këtë fenomen ndërthuren probleme si nga ana e kërkesës së dobët, ashtu edhe nga një ofertë e kushtëzuar nga standardet e shtrënguara të kreditimit. Megjithatë përtej faktorëve strukturorë, vlerësoj se duhet të reagojmë për të shmangur gjendjen stanjante në kreditimin e ekonomisë. Vlerësoj se është në interesin tuaj financiar, që ta adresoni këtë fenomen me vendosmëri për ta vënë atë në rrugën e zgjidhjes së qëndrueshme.
Burimet financiare që dispononi dhe hapësirat e konsiderueshme për financim të ekonomisë, tregojnë që eficienca financiare në veprimtarinë bankare mund të përmirësohet ndjeshëm,” tha Sejko.
Sipas tij, rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit nuk është e mundur pa rigjallërimin e kredisë bankare. Sektori bankar ruan kursimet e shqiptarëve, por ai ka për detyrë që këto kursime t’i vendosë në dispozicion të rritjes dhe të zhvillimit të vendit. Pa kredi nuk ka rritje, dhe pa rritje, kursimet e humbasin vlerën e tyre.
“Është e nevojshme që synimet afatshkurtra, të mos pengojnë adoptimin e një vizioni më strategjik, pra më afatgjatë. Bankat duhet të investojnë në drejtim të zhvillimit të funksioneve që lidhen me konsulencën financiare të klientëve të tyre. Synim konstant mbetet nevoja për ta eksploruar tregun në vazhdimësi, për të identifikuar klientët potencialë veçanërisht familjet dhe bizneset e vogla, dhe më kryesorja për t’i ndihmuar ata në ndërtimin e një projekti të vlefshëm për financim. Në këtë fazë, ulja e përqendrimit dhe diversifikimi i portofolit të kredisë është i rëndësishëm. Kjo kërkon të konceptoni dhe ndërtoni strukturat, proceset dhe produktet e nevojshme, si edhe të planifikoni burimet e duhura financiare.
Paralelisht, duhet të vlerësoni pa ndërprerje mjedisin që ju rrethon dhe që ndikon në veprimtarinë tuaj. Në këtë drejtim, nëse ka propozime konkrete lidhur me përmirësime të tjera ligjore apo praktika mbikëqyrëse, ju ftoj t’i formuloni ato zyrtarisht për ne dhe autoritetet e tjera publike, në mënyrë që bashkërisht t’i vendosim sa më shpejt në rrugën e zgjidhjes,” tha Guvernatori.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë mbështetëse e nismave që çojnë në përmirësimin e niveleve të ndërmjetësimit financiar dhe ruajnë qëndrueshmërinë e sektorit bankar e të sistemit financiar.