IKMT vijon prishjen e banesave në Shkozë dhe në Laprakë në kuadër të projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Sot ka pasur momente tensioni, fillimisht në mëngjes në Shkozë, ndërsa në mesditë në Laprakë ku një familje kundërshtoi shembjen e banesës dykatëshe duke u ngujuar brenda, por policia i nxori me forcë duke e shembur.
Kryefamiljari Bujar Nela u shpreh se do të vetëflijohet nëse shtëpia do të shembet, ndërsa gruaja akuzoi se policia ushtroi dhunë psikologjike.
Pas protestave të dhunshme në Francë, qeveria vendosi pezullimin e vendimit për rritjen e taksës së karburantit. Deputeti i PD, Klevis Balliu u bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin shembull nga francezët dhe të vijojnë protestat.
“E patë se çfarë ndodhi në Francë dhe në fund fituan. Ftoj qytetarët të marrin shembull nga Franca nga vëllezërit dhe motrat tona europiane. Ky është atentat që u bëhet këtyre banorëve. Do të vijojmë protestën edhe sot për këta qytetarë. Mbështetja jonë do të vijojnë kundër një banditi si Rama dhe Veliaj. Ai po nuk hapi veshët, do i trokasin te dera atij’, tha Balliu.
Zonja e shtëpisë në Laprakë që u shemb sot nga IKMT u shpreh për mediat se kërkoi tre ditë kohë për të lëvizur orenditë, por u refuzua. “I kërkova tre ditë kohë për të lëvizur gjërat dhe për të kryer procedurat ligjore. Nuk e di si shteti vepron këtu. Është dhunë psikologjike” tha ajo.
Shtetasi Bujar Nela nuk jetonte vetë në banesë, pasi katin e parë e kishte dhënë për biznes, po ashtu edhe katin e dytë për banim. Personat që jetonin në katin e dytë me qira janë larguar sot. Ndërkohë që banesa është rrëzuar nga IKMT brenda pak sekondash.
E ndërsa IKMT vijon prishjen e banesës, zonja e shtëpisë është konfliktuar me policinë duke e kundërshtuar vendimin.
Pronari i banesës në Laprakë, Bujar Nela shprehet se është njoftuar vetëm dje se banesa nuk legalizohet, ndërsa shton se vendimin e ka ankimuar dhe se nuk do të heqë dorë deri në një vendim të formës së prerë. Ai thotë se nuk do të dalë nga banesa dhe se do të vetëflijohet nëse IKMT ndërhynë.
“Nuk kam dijeni, dje më erdhi njoftimi se nuk legalizohet. Dokumentet i kam dorëzuar në 2005, por dje më erdhi përgjigja se nuk legalizohet.
Dua përgjigjen origjinale, pasi shteti erdhi për të më prishur shtëpinë me një fotokopje, që nuk ka vlerë ligjore, do ta hedh në gjyq projektin. Shteti erdhi pa ligj për të më prishur shtëpinë. Bëra një ankimim kundër skualifikimit për legalizim.
Pasi edhe njoftimi thotë se ke 30 ditë afat për ankimim. Kur vendimi të marrë formën e prerë atëherë do të heqë dorë. Unë do të vetëflijohem, nuk do të dal nga banesa.
Kam punuar për këta fëmijë, por nuk mund ti shoh në rrugë. Kam nënën 90-vjeçe dhe dy vajza, fëmijët i kam larguar nga këtu, pasi janë 15-vjeç’, deklaroi ai.