Manchester City ka bërë “detyrën” ndaj vendit të fundit në Premier League, duke fituar 3-0 në fushën e Huddersfield dhe mbajtur distancën me 4 pikë ndaj Liverpoolit kryesues.
Autorët e golave të “Qytetarëve” kanë qenë Danilo (18′), Sterling (54′) dhe Sane (56′), duke e bërë ekipin e Pep Guardiola të parin në pesë kampionatet kryesore të Europës që shënon 100 gola në ndeshjet e këtij sezoni të luajtura në të gjitha kompeticionet.
Nuk kanë munguar rastet e dyshimta në ndeshjen e luajtur në “Kirklees Stadium”. Miqtë, në fakt, kanë protestuar për një penallti të padhënë në pjesën e parë, por kanë shënuar golin e dytë nga një aksion të nisur në pozicion jashtë loje.
Gjithsesi, këto probleme pritet të eliminohen në sezonin e ardhshëm, kur sistemi VAR do të përdoret edhe në kampionatin anglez.