Tjetër gol i shënuar nga sulmuesi shqiptar Fiorin Durmishaj, që ka gjetur rrugën e rrjetës në sfidën ndaj PAS Janinës, e vlefshme për raundin e 1/8-ve në Kupën e Greqisë.
Në minutën e 24-t, Durmishaj u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke vendosur barazpeshën, teksa vendasit kishin shënuar të parët në minutën e 13-të me anë të Krizman.
Kujtojmë që te skuadra e PAS Janina aktivizohet edhe mesfushori Andi Lila, që e ka nisur ndeshjen si titullar.
Goli i dytë radhazi për Durmishajn në portën e Janinës. Shqiptari gjeti rrugën e rrjetës edhe në sfidën e kampionatit që u fitua nga skuadra e Andi Lilës me rezultatin 3-1.
Në 4 ndeshjet e fundit sulmuesi i Kombëtares Shpresa ka arritur të realizojë 3 gola, duke u shndërruar në një bomber te skuadra e Panioniosit.