Federata Shqiptare e Futbollit ka çuar në gjyq Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Institucioni i futbollit në vend është duke ndjekur rrugën ligjore për të përfituar atë që, sipas saj, i takon nga investimi për stadiumin e ri kombëtar: rimbursimin prej rreth 2 milionë eurosh të TVSH-së.
GJYQI – Sipas “Panorama Sport”, shoqëria “Kuq e Zi” ka hapur një çështje në gjykatën administrative ku pala e akuzuar është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Bëhet fjalë për mosakordimin e një fondi prej rreth 2 milionë eurosh, e cila sipas palës akuzuese duhet t’i rikthehet TVSH-ja e investimeve të kryera për ndërtimin e stadiumit të ri në kryeqytet.
Shoqëria “Kuq e Zi” përbëhet nga maxhoranca prej 75% që i përkasin Federatës Shqiptare të Futbollit dhe 25% përkojnë me aksionet që ka qeveria shqiptare.
Kjo e miratuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e tij, në periudhën që diskutohej për të gjetur formën ligjore për ndërtimin e stadiumit kombëtar.
ÇFARË NDODH – UEFA i ka akorduar FSHF-së një fond prej 10 milionë eurosh dhe për këtë, sipas ligjeve në fuqi, tatohet 20% e shumës, pra 2 milionë euro.
Në këtë rast, institucioni i futbollit i kërkon shtetit shqiptar të bëhet një përjashtim, nisur nga lloji i investimit që po kryhet, pasi në rast se Tatimet mbajnë këtë shifër, atëherë cenohet investimi dhe për rrjedhojë, do të ketë mungesa në përfundimin e stadiumit.
Mirëpo, në këtë rast, do të ishte rrisk edhe nga ana e qeverisë, e cila zbaton legjislacionin në fuqi referuar tatimeve.
Kjo të çon në rrjedhojën që mes palëve të ketë një seancë gjyqësore dhe të jetë Gjykata Administrative që të “marrë përsipër” zgjidhjen ligjore.
DERVISHAJ – Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, i angazhuar në pjesën e infrastrukturës sportive, ka konfirmuar lëvizjen e re që ka bërë institucioni i futbollit.
“Shoqëria ‘Kuq e Zi’ është në gjyq me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Bëhet fjalë për rimbursimin prej 2 milionë eurosh të TVSH-së mbi investimin e kryer në stadium.
“Na është thënë nga pala tjetër që rimbursimi nuk është kryer sepse ne kemi vonuar procedurat me një ditë nga afati i caktuar.
Dakord, ne e kemi marrë si të mirëqenë këtë procedurë, por kërkojmë që të na rimbursohet shuma, qoftë edhe gjashtë muaj me vonesë. I jemi drejtuar gjykatës sepse mendojmë se na takon”, – është shprehur për “Panorama Sport”, Arben Dervishaj.