Milan është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Italisë, në pritje të fituesit Lazio-Inter (luhet të enjten). Kjo falë dygolëshit të polakut Piatek, që thuajse i vetëm mposhti Napolin, teksa rezultati u fiksua 2-0.
Ndeshja e parë e Krzysztof Piątek si titullar me Milan-in ka shkuar përtej çdo parashikimi, pasi sulmuesi polak ka shënuar dy gola, duke mposhtur bashkëatdhetarin e tij Milik në krahun tjetër.
Pasi ka zhbllokuar takimin në minutën e 10-të, Piatek ka realizuar edhe golin e dytë kundër Napoli-t në çerekfinalen e Kupës së Italisë në minutën e 27-të. Ish-lojtari i Genoa-s ka mposhtur portierin Meret me një goditje të bukur.
Në pjesën e dytë miqtë kanë rritur shumë ritmin, mirëpo të besuarit e Gattuso-s, kur janë në avantazh, luajnë më mirë, pasi në kundërsulm shpërthejnë.
Gjithsesi, nuk shënohet asnjë gol dhe kuqezinjtë që avancojnë më tej. Napolit nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm të përqendrohet në Europa League dhe të mbajë vendin e dytë në kampionat, pasi Juve është shkëputur me 11 pikë në krye.