Dy nga futbollistët afrikanë të Besëlidhjes, Oumar Kamara dhe Isak Kamara, janë përballur dje me një situatë tejet të pakëndshme, pasi u bënë pre e racizmit dhe dhunës.
Futbollistët janë përplasur fizikisht në rrugë me disa persona, ngjarje e cila ka bërë bujë dhe ka përfunduar me denoncim në polici nga lojtarët.
“Bashkë me shokun tim mbaruam stërvitjen e po shkonim në shtëpi. Dy djem me makinë na sulmuan verbalisht me fraza raciste dhe unë iu përgjigja me një gjest.
U larguam përkohësisht, por na gjetën dhe vazhduan të na ofendonin duke na kërkuar që të largoheshim nga qyteti”, – tregon për RTSH, Oumar Kamara. ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë.
“Na dolën më pas tre djem në rrethrrotullim për të na sulmuar me mjete të forta dhe u përleshëm. Shoku im telefonoi presidentin, i cili erdhi menjëherë dhe situata u qetësua, shkuam në polici dhe bëmë denoncimin.
Jam i zhgënjyer me këtë ngjarje, sepse kemi dhënë gjithçka këtu, nuk jam aspak i lumtur. pasi ata njerëz që na sulmuan nuk përfaqësojë komunitetin këtu, ata janë thjesht disa njerëz të këqinj”, – ishin fjalët e mesfushorit.
Edhe futbollisti tjetër, Isak Kamara, ka mbetur i çuditur nga ngjarja, pasi tregon se prej tre vitesh nuk është ndeshur me probleme të tilla në Shqipëri.
“Nuk e di pse ndodhi kjo gjë, jam prej tre vitesh në këtë qytet dhe nuk më kishte ndodhur asnjëherë një gjë e tillë. Mund të them vetëm që janë racistë dhe jo njerëz që kanë konflikte personale me ne”, – deklaroi ai.