Babai i Emiliano Sala, futbollistit të zhdukur të Cardiff City-t, ka thënë se gjetja e aeroplanit që po e transportonte të birin e tij para se të zhdukej mbi kanalin anglez, është një ëndërr e keqe për të.
Avioni është gjetur në fund të kanalit anglez pas një kërkimi të specializuar privat, dy javë pasi u zhduk rrugës nga Nantes drejt Cardiffit. “Nuk mund ta besoj….kjo është një ëndërr…një ëndërr e keqe…jam i dëshpëruar”, – ka thënë babai i sulmuesit argjentinas, Horacio Sala.
Ende nuk ka lajme nëse janë gjetur trupat e Sala dhe pilotit David Ibbotson, një ditë pasi u gjet aeroplani me të cilin po fluturonin ata.
Sala dhe piloti Ibbotson u nisën nga Nantes në Francë drejt Cardiffit më 21 janar, pasi ylli argjentinas kishte nënshkruar kontratë me klubin e Premier League, por u zhduken mbi kanalin anglez.
Kërkimet zyrtare për ta u ndërprenë vetëm katër ditë pas zhdukjes së tij, por familjarët e Sala, tifozët dhe disa futbollistë profesionist mblodhën të holla për ta nisur një kërkim privat. Kërkimi privat dha rezultat të dielën disa orë pasi kishte nisur.