MENU
klinika

Deklarata e Donald Tusk

BE ‘presion’ Britanisë: Të shtyhet Brexit

25.02.2019 - 16:05

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka rritur presionin ndaj kryeministres britanike, Theresa May, për të shtyrë daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Tusk ka thënë se kjo do të ishte një “zgjidhje e arsyeshme” dhe se 27 anëtarët e bllokut do të tregojnë mirëkuptim dhe vullnet të mirë për ta bërë të mundur këtë shtyrje.

Tusk tha se nuk ishte “plani” i BE për të zgjatur negociatat dyvjeçare, por që tani ishte e dukshme për atë se ishte “zgjidhje racionale” në dritën e dështimit të kryeministres për të marrë miratimin e shumicës.

“Do të përballemi me një alternativë: një Brexit kaotik ose zgjatje të procesit. Sa më pak kohë ka deri më 29 mars, aq më shumë shtohen gjasat e një zgjatjeje. Dhe ky është një fakt objektiv, jo synimi ynë, jo plani ynë, por një fakt objektiv. Unë besoj se në situatën në të cilën jemi, një zgjatje do të ishte një zgjidhje racionale “.

Foto e marrë nga BBC

Pak pasi Tusk foli në një konferencë për shtyp sëbashku me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, në fund të samitit të parë BE-Liga arabe, May tha se ata kishin pasur një takim të mirë.

“Një shtyrje në nenin 50, një vonesë në këtë proces, nuk sjell ndonjë vendim në parlament, nuk jep një marrëveshje,” tha ai në një konferencë shtypi.

Kryenegociatori i BE, Michel Barnier, do të rifillojë punën me ekipin britanik, përfshirë këshilltarin e lartë të Brexit të Downing Street, Olly Robbins dhe sekretarin e Brexit, Stephen Barclay, të martën në Bruksel.

“Presidenti dhe kryeministri ranë dakord mbi nevojën për të përfunduar këtë punë në kohë përpara Këshillit Evropian më 21 mars”, tha një zyrtar pas takimit të Juncker me kryeministren.

Foto e marrë nga BBC

Parlamenti britanik e ka hedhur poshtë njëherë marrëveshjen duke e bërë të paqartë mënyrën e daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Ekspertët vlerësojnë se një dalje e çrregullt e Britanisë nga BE-ja do të mund të shkaktonte krizë në tregjet financiare.

Ndërkohë gjatë fundjavës, Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se deri më 12 mars do të votohet nëse vendi do të dalë me apo pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian.

Britania pritet të largohet nga BE-ja më 29 mars të këtij viti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministrat britanikë paralajmërojnë

“Brexit mund të shtyhet”