Berati është një qytet i quajtur ndryshe muze që në vitin 1948, që ndryshe quhet edhe qytet i një mijë dritareve. Tashmë një mijë e një dritareve do t’i shtohet një xhami e restauruar. Ajo është Xhamia Mbret dhe Teqesë Helvetive.
ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi punimet në këtë kantier ku punohet prej disa muajsh. Në bashkëpunim me TIKA, Ministria e Kulturës ka marrë përsipër këtë restaurim të rëndësishëm për qytetin e Beratit. Ndër të tjera ministrja u shpreh se:
“Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është nxjerrja në pah e teknikës së rregullt të ndërtimit me gurë të skuadruar, teknikë e cila është ndërthurur me detaje qeramike, prezente në harqet e harkadës dhe në pjesën e sipërme të portikut”.
Teqeja Helvetive në Berat është një nga më të bukurat në Ballkan. Mendohet se ajo është ndërtuar në vitin 1600. Është një nga objektet arkitekturorë më të bukur të qytetit e Beratit.
Teqeja është ndërtuar në shek XV-të dhe rindërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në fund të viteve 70 të shekullit XVIII-të dhe i përket sektit të helvetike të cilët janë një nga sektet e islamit dhe i shërbejnë një grupi të caktuar.
Kjo është një nga xhamitë kryesore të qytetit të Beratit e shpallur monument kulture. Ajo i bashkohet kompleksit të Qendrës Islamike e ndërtuar nga Sulltan Bajaziti II gjatë shekullit të XV.
Si ndërtesë ajo përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minareja. Tavani i saj masiv është i pikturuar, mafili i gjerë me dy kate i mbështetur mbi dy shtylla druri, mihrabi ne murin fundor dhe mimberi në anën e djathtë të mihrabit formojnë strukturën dekorative të saj.
Rozetat në qendër të tavanit kanë mbishkrime të thënieve të ndryshme kuranore sipas stilit oriental të arkitekturës. Një frizë poshtë tavanit përmban 99 emrat e bukur të zotit. Salla e lutjeve paraprihet nga një portik i hapur.
Portiku ka tavanin e tij dhe në murin verior të tij ndodhet një tjetër mihrab. Kjo që besimtarët të mund të falen edhe në portik. Ai është më i ri në moshë, xhamia e ndërtuar nga Usta Dush Barka qarkohet nga një harkadë e mbështetur në kollona guri. Kjo pjesë është e ndërtuar përgjatë shekullit të XVIII.
Pjesa e sipërme e minares është rindërtuar vitet e fundit ndërsa bazamenti i saj është ndërtuar me teknikë klausonazhi dhe është një prej elementëve arkitektonikë që i përkasin ndërtimit të parë të xhamisë në shekullin e XV.