MENU
klinika

Përse shërbejnë?

Llogari bankare pa kosto?

01.02.2019 - 13:41

Synimi i fundit që Banka e Shqipërisë i ka vënë vetes mund t’i vijë në ndihmë qytetarëve me të ardhura të ulëta.

Bëhet fjalë për llogaritë bankare pa kosto e cila duhet të shërbejë për të marrë shërbime bazë të pagesave dhe për të rritur përfshirjen financiare.

Gjatë një konference ndërkombëtare për pagat në Vienë, Zëvendësguvernatorja e dytë e BSH, Natasha Ahmetaj ka thënë se BSH po merr në konsideratë mundësinë për të detyruar bankat që të ofrojnë llogari pa kosto.

Sipas saj brenda vitit 2022 synohet që 70% e të rriturve të kenë llogari bankare.

Kujtojmë që BSH vitin e kaluar prezantoi strategjinë kombëtare për reformimin e tregut të sistemeve të pagesave.

Objektivi i kësaj strategjie është rritja e konkurrencës dhe ulja e kostove në shërbimet e pagesave.

Sipas BSH Mundësimi i një infrastrukture formale më të zgjeruar dhe me kosto më të ulët mund t’i zhvendosë flukset e pagesave nga kanalet informale drejt atyre formale.

Një shembull domethënës janë remitancat. Sipas Bankës së Shqipërisë, kostot për të dërguar para drejt Shqipërisë në rrugë formale vlerësohen të jenë rreth 8-18%, dukshëm më të larta se rajoni, dhe larg objektivit global prej 3% që synohet deri në vitin 2030. Kjo bën që një pjesë e madhe e remitancave të hyjnë Shqipëri në rrugë joformale.

Vlerësohet se në Shqipëri vetëm 4% e dërgesave hyjnë përmes kanaleve bankare. Perceptimi për procedurat bankare si të komplikuara mbizotëron, edhe për shkak të kulturës së ulët financiare.

Kjo shpjegon pse 57% e individëve zgjedh kompanitë e transfertave të parave, që kanë kosto akoma më të larta, por janë më të thjeshta në aksesim.