Pritja e dimrit ka mbaruar. Sot rikthehet Champions League dhe do të ketë një risi historike: VAR-in. Pas fazës me grupe tani fillon ajo e zjarrta me eliminim direkt.
VAR – Roberto Rosetti, shefi i arbitrave të UEFA-s, ka konfirmuar konceptet bazë: do të përdoret vetëm në rast të një gabimi të qartë; për situatat objektive (pozicion jashtë loje, faull brenda apo jashtë zonës së rreptësisë…).
Do të mjaftojnë dy arbitrat e VAR; për rastet që kanë nevojë për interpretim, arbitri kryesor të shikojë përsëritjen e imazheve buzë fushës, “por qëllimi është që teknologjia të përdoret sa më pak të jetë e mundur dhe vetëm kur të jetë e domosdoshme”.
NDËRRIMI I KATËRT- Ndërkohë, nëse ndeshjet në kthim do të shkojnë në shtesë dhe trajnerët kanë kryer nga 3 zëvendësime, në kohën suplementare prej 30 minutash mund të bëjnë edhe një ndërrim të katërt.
Faza e 1/8 të finaleve nis sonte me një super ndeshje në “Teatrin e Ëndrrave”, ku Manchester United do të presë Paris Saint-Germain, pa Neymarin dhe Edinson Cavani.
MANCHESTER UNITED – PSG
Në dhjetor, kur u hodh shorti për këtë ndeshje, kjo ndeshje nuk pritej të ishte aspak e vështirë për PSG-në, pasi që Manchester United ishte në formë shumë të keqe me Jose Mourinhon.
Megjithatë, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga atëherë. “Djajtë e kuq” e shkarkuan Mourinhon dhe nuk e kanë humbur asnjë ndeshje që nga emërimi i Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit, duke i fituar dhjetë nga gjithsej 11 ndeshje.
Anglezët tani kanë më shumë gjasa për ta mposhtur kampionin francez, veçanërisht për shkak të lëndimeve që ka pësuar skuadra e Thomas Tuchel.
PSG-ja do të duhet të mbështetet vetëm në Kylian Mbappe për fazën e sulmit, pasi nuk ka asnjë zëvendësues të natyrshëm për pozitën e qendërsulmuesit.
Kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, mirëpo gjithçka do të vendosët më 6 mars, në Parc des Princes, ku do të zhvillohet ndeshja kthyese mes këtyre dy klubeve.
ROMA – PORTO
Roma do të duhet të luajë me portierin zëvendësues, pasi Robin Olsen është dëmtuar. Të tilla problemeve iu shtohen edhe emrat e Perotti në sulm, aty ku edhe Schick do të mungojë.
Kësisoji, reparti ofensiv mund të përbëhet nga treshja Dzeko-Kluivert-El Shaaraëy. Te Porto, e njëjta gjë ndodh me pjesën e përparme të skuadrës. Dy sulmuesit e saj më të mirë, Marega dhe Aboubakar, nuk janë gati, as meksikani Jesus Corona, i pezulluar nga UEFA për ndeshjen e parë.
Këto dy ekipe janë takuar vetëm dy herë më parë, në kuadër të kualifikimeve për Champions në vitin 2016. Ndeshja e parë kishte përfunduar baraz, ndërsa në të dytën ka triumfuar Porto.
Ndeshjet e 1/8-ave
E martë, 12 shkurt: Roma-Porto (21:00)
E martë, 12 shkurt: Manchester United-PSG (21:00)
E mërkurë, 13 shkurt: Tottenham-Borussia Dormund (21:00)
E mërkurë, 13 shkurt: Ajax-Real Madrid (21:00)
E martë, 19 shkurt: Lyon-Barcelona (21:00)
E martë, 19 shkurt: Liverpool-Bayern Munich (21:00)
E mërkurë, 20 shkurt: Atletico Madrid-Juventus (21:00)
E mërkurë, 20 shkurt: Schalke-Manchester City (21:00)
E martë, 5 mars: Dortmund-Tottenham (21:00)
E martë, 3 mars: Real Madrid-Ajax (21:00)
E mërkurë, 6 mars: Porto-Roma (21:00)
E mërkurë, 6 mars: PSG-Manchester United (21:00)
E martë, 12 mars: Juventus-Atletico Madrid (21:00)
E martë, 12 mars: Manchester City-Schalke (21:00)
E mërkurë, 13 mars: Barcelona-Lyon (21:00)
E mërkurë, 13 mars: Bayern Munich-Liverpool (21:00)