Një veprim për t’u përshëndetur, yjet e futbollit janë edhe humanë. Mbrojtësi i krahut të djathtë i Manchester United, Diogo Dalot, e ka befasuar akademinë ku ai kishte ushtruar si fëmijë.
Dalot u ka blerë një autobus, me paratë e rrogës së parë që e mori në Angli. Portugezi u transferua te Manchester United gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar nga Porto, për 22 milionë euro.
Në Porto ai kishte shkuar nga akademia e futbollit, O Fintas, në vitin 2008. Në një intervistë për gazetën portugeze, A Bola, koordinatori i kësaj akademie, Luis Travassos, e ka zbuluar dhuratën që ua kishte bërë Dalot atyre.
“Ne biseduam me Diogon në Skype. Ai më tha të dilja jashtë dhe para dyerve ishte një autobus. Unë mbeta i tronditur! Ai kishte përgatitur gjithçka në mënyrë sekrete dhe e kishte blerë atë autobus në Angli”, – ka thënë Travassos.
“Për ne, një institucion me kaq shumë vështirësi financiare dhe me kap pak burime parash, shpenzimet janë shumë të mëdha dhe për këtë arsye e vlerësojmë të gjithë ndihmën që na u ofrohet”.
Kjo shkollë futbolli nuk përfitoi asnjë cent nga shitja e Diogos në Manchester Unitedi, pasi portugezi ishte larguar nga aty në moshën 9-vjeçare.
19-vjeçari ka bërë 11 paraqitje për Manchester United këtë sezon. Ai është përballur me dëmtime, si dhe trajnerët, Jose Mourinho dhe Ole Gunnar Solskjaer, preferuan t’i japin atij më shumë kohë për t’u përshtatur në ligën e re.