Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka sqaruar përballjen në sallën e gjyqit me trajnerin aktual të Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci.
I ftuar në “Arena” në “Ora News”, Nishani zbuloi se nuk ka ndikuar aspak në gjykimin dhe pushimin e çështjes, ndërsa shtoi se sjella e Panuccit nuk ka qenë aspak e hijshme ndaj organeve dhe institucioneve të shtetit shqiptar.
“Ka qenë një proces që e kam respektuar maksimalisht. Në mënyrë surprizuese u njoha se ishte depozituar një padi. Gjithsesi, kam deklaruar se unë do të respektoj shtetin tim, vendin tim, ligjet e vendit, institucionet e vendit, do të respektoj gjykatën.
Kam pajtuar një zyrë avokatie. E kanë ndjekur me shumë kujdes. Është dhënë vendimi. Natyrisht një vendim i cili kishte logjikën juridike dhe logjikën shoqërore.
Ajo që më bëri përshtypje në fakt ishte se kishte një vendim të gjykatës për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, për tu paraqitur në gjykatë.
Zotëria në fjalë e refuzoi dhe e injoroi këtë kërkesë dhe këtë vendim të gjykatës. Çka nuk i bën nder atij, pasi është një qytetar i huaj, por ka pranuar për të punuar për institucionet e shtetit shqiptar, duhet të respektoj institucionet e shtetit shqiptar.” – u shpreh ish-presidenti Nishani.