MENU
klinika

Shifrat

Pagesat me kartë pësojnë rritje/ Sa milionë euro arritën në 2018?

14.02.2019 - 14:35

Vitin e kaluar, shqiptarët kryen pagesa me karta bankare në vlerën e 21.3 miliardë lekëve ose rreth 170 milionë eurove. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat me kartë u rritën me 16% gjatë vitit 2018.

Rritja është akoma më e lartë, e llogaritur si numër transaksionesh. Nga 2.9 milionë për vitin 2017, numri i pagesave me kartë arriti në 3.6 milionë vitin e kaluar.

Këto shifra i referohen vetëm pagesave direkte me kartë përmes pikave elektronike të shitjes, pa përfshirë tërheqjet cash nga bankomatet.

Përdorimi kartës për të tërhequr para vazhdon të dominojë, çka është e kuptueshme për një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash, si ajo shqiptare.

Vitin e kaluar, u kryen rreth 16.5 milionë tërheqje nga bankomatet, për një vlerë të përgjithshme prej 194 miliardë lekësh ose afro 1.6 miliardë euro.

Pavarësisht nga kjo, tregu ka një tendencë pozitive në drejtim të rritjes së pagesave jo cash. Kjo duket nga rritja e pagesave elektronike, por edhe numri i kartave të kreditit, që janë një instrument që përdoret kryesisht në funksion të pagesave jo cash.

Në fund të vitit të kaluar, bankat shqiptare kishin 105 mijë karta krediti aktive. Në tre vitet e fundit, numri i kartave të kreditit është rritur mesatarisht me 10% në vit.

Në total, numri i kartave ka arritur në rreth 1.1 milionë, ku pjesa më e madhe janë karta debiti, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve.