MENU
klinika

Gara e re e armëve

Putin: SHBA t’i bëjë mirë llogaritë

20.02.2019 - 15:25

Në fjalimin e tij vjetor në parlament të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin tha se qeveria e tij do të hakmerret nëse Uashingtoni do të vendoste ndonjë raketë në Evropë, siç raporton Euronews.

Megjithatë ai e bëri të qartë se nuk po kërkonte konfrontim të drejtpërdrejtë me SHBA.

Në përgjigje të tërheqjes së SHBA nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), ai tha se Rusia nuk do të marrë hapin e parë në vendosjen e raketave, por paralajmëroi homologët e tij amerikanë për rreziqet nëse ata do të vepronin kështu.

Putin kritikoi SHBA për tërheqjen nga Traktati INF, duke thënë se akuzat se Rusia shkeli traktatin u bënë për të mbuluar faktin që amerikanët gjithmonë kishin dashur të tërhiqeshin prej tij.

Foto e marrë nga Deutche Welle

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po injoronin “interesat legjitime” të Rusisë dhe po vazhdonin me “veprimtaritë anti-ruse”, duke përmendur sanksionet, sipas tij të paligjshme ekonomike.

Udhëheqësi rus tha se vendi i tij nuk ishte një kërcënim për SHBA-në dhe donte të ndërtonte një marrëdhënie miqësore, të bazuar në respekt të ndërsjellë. Megjithatë, ai tha se Uashingtoni duhet të mendojë për armët e Rusisë përpara se të bëjë ndonjë lëvizje, sepse ai gjithmonë do të garantojë sigurinë e vendit.

“Natyrisht, ata dinë të llogarisin, apo jo?” pyeti Putini. “Le ta llogarisin gamën, shpejtësinë e sistemeve tona të armëve në zhvillim. Kjo është gjithçka që ne po kërkojmë. Le të llogarisin së pari dhe vetëm atëherë të marrin vendime që mund të sjellin kërcënime të tjera serioze për vendin tonë dhe me siguri Rusia do të përgjigjet”.

Putin vlerësoi marrëdhëniet e tij me shumë vende, duke theksuar bashkëpunimin e tij me Kinën, Indinë dhe Japoninë dhe tha se shpresonte të rivendoste marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Foto e marrë nga The Strait Times

Pjesa e parë e fjalimit të Putinit u përqendrua në çështjet e brendshme, ku ai foli për zhvillimin e brendshëm ekonomik dhe social, veçanërisht për projektet kombëtare në arsim, strehim, bujqësi dhe kujdes shëndetësor që mbrojnë njerëzit.

Ai tha se rezervat ekonomike të Rusisë ishin më të mëdha se borxhet e saj (kombëtare dhe tregtare) për herë të parë në histori. Putin dëshiron të krijojë një “fondacion të fuqishëm shkencor-teknologjik” për të nxitur rritjen e ekonomisë.

Sa i përket klimës së investimeve, Putini tha se “biznesmenët e ndershëm nuk duhet të frikësohen nga ndjekja penale”, dhe kjo deklaratë vjen pasi një nga menaxherët më të njohur të investimeve të huaja të Rusisë u fut në burg.

Euronews