MENU
klinika

La Liga, Java 25

Real vuan me Levanten, fiton me dy penallti

24.02.2019 - 22:46

Në një kampionat të gjatë rëndësi kanë pikët dhe Real Madrid i ka marrë të plota sonte, edhe pse me vuajtje, në një transfertë jo të lehtë me Levanten, duke fituar 2-1.

Madrilenët kanë fituar falë dy penalltive të akorduara nga VAR. E para është dhënë në minutën e 43-të për një prekje të topit me dorë në zonën e rreptësisë edhe është transformuar në gol nga Karim Benzema.

Sulmuesi francez është i pagabueshëm në këtë sezon të La Liga-s nga pika e bardhë, duke shënuar të katër penalltitë e gjuajtura. Vendasit, që kanë goditur dy herë shtyllën në këtë takim, kanë barazuar me Roger në minutën e 60-të.

Episodi që ka vendosur takimin ka ardhur në minutën e 78-të, kur VAR ka dhënë një penallti të dytë në favor të madrilenëve pas një ndërhyrje të parregullt në zonën e rreptësisë ndaj Casemiro-s.

Te pika e bardhë është paraqitur Gareth Bale, i cili nuk ka gabuar, por që nuk ka dashur të festojë me shokët e ekipit pas golit. Dy ekipet e kanë mbyllur ndeshjen me nga 10 lojtarë pas kartonëve të dytë të verdhë të marrë nga Nacho (Real) dhe Rochina (Levante) në minutat e fundit.

Real, që mban vendin e tretë në renditje, shkon në 48 pikë me këtë fitore, dy larg Atletico Madrid-it të vendit të dytë dhe nëntë larg Barcelona-s kryesuese. Javës që vjen luhet “El Clasico”, Real Madrid-Barcelona.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN