Pasi ka shënuar golin e parë me Luganon pas rikthimit të tij në Zvicër dhe pasi është vlerësuar edhe në formacionin e javës, trajneri Fabio Celestini ka folur në lidhje me sulmuesin shqiptar Armando Sadiku.
Numri një i stolit ka shpjeguar se nuk e kishte aktivizuar shqiptarin me qëllimin për të shënuar, por elbasanasi e ka surprizuar. I pyetur nga gazetarët në lidhje me gjendjen e 27-vjeçarit, ai u shpreh:
“Armandos ende i mungon diçka, por javën e kaluar ishte koha për ta hedhur në fushë. Unë e zgjodha për shpirtin e tij, sepse ai nuk heq dorë kurrë.
Ai di si t’i tërheqë shokët në sulm. Nuk e zgjodha për të shënuar, por nëse e bën dhe këtë është fantastike”, – tha tekniku Celestini.
Sadiku është rikthye tek ish-ekipi i tij në Zvicër, pasi nuk kishte hapësira te Levante. Situata në të cilën ndodhej nuk ishte më e mira e mundshme dhe do ta kishte shumë të vështirë të merrte minuta pas riaftësimit nga operimi në gju.