MENU
klinika

SHBA ka reaguar

Venezuelë/ 4 të vdekur, 300 të plagosur

24.02.2019 - 11:21

Përleshje vdekjeprurëse shpërthyen në qytetet kufitare të Venezuelës të shtunën, pasi presidenti Nicolás Maduro bllokoi ndihmat humanitare të kalonin nga Kolumbia dhe Brazili.

Trupat hodhën gaz lotsjellës drejt protestuesve, të cilët u përpoqën të merrnin dhe të transportonin furnizimet. Të paktën katër persona u vranë dhe 300 u plagosën.

Opozita dëshiron që ndihma të shkojë tek njerëzit e prekur nga kriza ekonomike, por Maduro e sheh atë si një kërcënim për sigurinë.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dënoi sulmet ndaj civilëve, duke i quajtur sulmuesit “banditët e Maduro-s”. Pompeo gjithashtu e përshkroi djegien e disa prej ndihmave si “të pështirë”.

Foto e marrë nga Sky News

Udhëheqësi i opozitës Juan Guaidó, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm dhe ka ndihmuar në organizimin e ndihmës, do të takohet me nënpresidentin amerikan Mike Pence dhe udhëheqës të tjerë rajonalë që i përkasin Grupit “Lima”të hënën në Bogota të Kolumbisë

Guaido organizoi mbledhjen e qindra tonëve të ndihmës së huaj në kufijtë e vendit. Në përgjigje, Presidenti Maduro i mbylli pjesërisht kufijtë e vendit me Brazilin dhe Kolumbinë, duke i quajtur kërcënime ndaj sigurisë dhe sovranitetit.

Imazhet që vijnë nga pikat e kalimit në të gjithë vendin tregonin forcat e sigurisë që hidhnin gaz lotsjellës drejt vullnetarëve.

Foto e marrë nga Sky News

Grupet e të drejtave thonë se të paktën dy vetë, duke përfshirë një djalë 14-vjeçar, u qëlluan për vdekje në përleshjet e së shtunës në Santa Elena de Uairen, pranë kufirit me Brazilin. Dy të tjerë u raportuan të jenë vrarë të premten.

Amnesty International e ka përshkruar përdorimin e armëve të zjarrit kundër protestuesve si një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe një krim sipas ligjit ndërkombëtar.

Presidenti Maduro vazhdon të kundërshtojë pretendimin e Guaidos për presidencën dhe ka injoruar thirrjet ndërkombëtare për të mbajtur zgjedhje të reja.

Foto e marrë nga Sky News

Ndërsa protesta vazhdonte në kufijtë e Venezuelës, Maduro organizoi një tubim në Caracas. Ku tha “Hiqini duart nga Venezuela, Donald Trump”, tha ai, duke e akuzuar presidentin e SHBA për përdorimin e ndihmës si një mjet për të pushtuar vendin.

Pavarësisht nga dhjetra vende që mbështesin liderin e opozitës, Maduro ka mbështetjen e aleatëve kryesorë ekonomikë, përfshirë Kubën, Rusinë dhe Kinën.