Kupën e Shqipërisë për U-19 e ka fituar skuadra e Vllaznisë së Shkodrës, teksa mposhti me rezultatin 2-1 Besën e Kavajës të kësaj grupmoshe.
Ndeshja finale u zhvillua sot, në orën 12:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, ku pati një rivalitet të fortë deri në minutën e fundit.
Golin e parë e gjeti Ardian Shaliani i Besës në minutën e 9-të dhe më pas ka barazuar me penallti Uheid Hoxha i Vllaznisë, në minutën e 27-të, dhe në minutën e 32-të, Qardaku ka shënuar sërish për shkodranët.
Edhe në pjesën e dytë skuadrat kanë luftuar për të gjetur golin e radhës, por pa ndryshuar rezultatin e pjesës së parë dhe të gjithë ndeshjes.
Ekipet finaliste zbritën në fushë me këtë formacion, Vllaznia: Qarri, Shimaj, Repaj, Ndreca, Hoxha, Kulla, Kovaci, Rrasa, Lekaj (C), Mali, Qardaku; Besa: Dabijani, Rrushi, Kacbufi, Damarija, Mecja, Cara (C), Selita, Meraj, Zeqiri, Deliu, Shaliani.
Medaljet dhe Kupa për fituesit e edicionit të katërt të Kupës së Shqipërisë U-19, janë dorëzuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Bardhyl Jera.