Ende pa mbaruar sezoni, Bayern Munchen zyrtarizon blerjen e dytë. Pas Pavard, një tjetër francez do t’u bashkohet gjigantëve gjermanë në sezonin e ri.
Klubi i Atletico Madrid ka bërë të ditur se është arritur akordi me klubin bavarez për transferimin në Mynih të mbrojtësit Lucas Hernandez.
Klubi spanjoll i kishte ofruar rinovimin francezit, por dëshira e lojtarit ishte që ai të ndërronte ambient dhe tashmë ka zgjedhur të shkojë në Gjermani për të veshur fanellën e një klubi të madh si Bayern Munchen.
Drejtuesit e Bayern e kishin bërë të qartë kohët e fundit se nuk do të kursehen për përforcimin e ekipit këtë verë dhe për mbrojtësin e majtë kanë shpenzuar jo pak, por 80 milion euro, pasi kaq është klauzola për Lucas Hernandez.
Një shifër e pazakontë kjo për bavarezët. Lucas Hernandez luan në rolin e mbrojtësit të qendrës dhe të mbrojtësit të majtë. Kampioni i botës te Franca luajti në krah.