Një ditë më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shkarkoi trajnerin e Kombëtares, Christian Panucci, por numri një i futbollit bën përgjegjës të gjithë për situatën aktuale.
Duka ka shpjeguar dje se pse insistoi për të mbajtur në detyrë trajnerin:
“Prisnim që të kishte një energji ndryshe skuadra, një paraqitje ndryshe në ndeshjen e parë kualifikuese.
Kjo është një arsye pse menduam që edhe pas paraqitjes jo shumë të suksesshme në Nations League të vazhdonim me Panuccin, sepse do të ndryshonte diçka në skuadër.
U pa një skuadër pothuajse inekzistente, që na çoi në një vendimmarrje të detyrueshme. Dhe ai që duhej ndryshuar ishte pikërisht trajneri.
Të gjithë në njëfarë mënyre jemi përgjegjës, qoftë dhe unë që kam emëruar Panuccin, qoftë skuadra, që duhej të demonstronte diçka më shumë në fushë.
Besoj se edhe vetë Panucci do të dëshironte të bënte më shumë. Ishte eksperienca e tij e parë si trajner i një përfaqësueseje, por nuk arriti, nuk arriti të merrte maksimumin nga skuadra.
E ndërpremë këtë marrëdhënie për të menduar më shumë pë të ardhmen dhe do të mendojmë më gjatë për ndeshjet e qershorit.
Stafi ka kohë për ta përgatitur skuadrën. Në qershor do të kemi mundësi për ta grumbulluar skuadrën rreth dy-tre javë”, – tha ai për °SuperSport°.
Por kush do të jetë trajneri i ri? Duka lë gjithçka hapur, për një zgjedhje të cilën këtë radhë shpreson të mos e gabojë në të njëjtën mënyrë siç veproi kur afroi Panuccin.
“Edi Rejan e kam takuar në stadium pas ndeshjes, kishte ardhur për punët e tij, për të vëzhguar disa futbollistë. Nuk di ta them tanët apo të Turqisë.
Nuk kam menduar asgjë se kush do të jetë trajner i Shqipërisë. Pas ndeshjes me Andorrën do të mendojmë për teknikun që i duhet skuadrës. Nuk është një gjë e lehtë”, – pranoi presidenti i FSHF-së.